Grip shpendësh? 4 200 rosa të ngordhura, sigurohet rezultati i analizave për fermën e Divjakës

Pas publikimit të rastit të rëndë të ngordhjes së 4 200 rosave në një fermë në fshatin Mizë të Divjakës, gazetarja e ABC, Adriana Mile është interesuar pranë Shërbimit Veterinar të Fierit në lidhje me rezultatin e analizave të mostrave të marra nga shpendët e ngordhur.

Bëhet fjalë për një numër të madh shpendësh, rosa, që kanë ngodhur përgjatë një periudhe kohore 10 ditore duke i shkaktuar probleme shëndetësore edhe fermerit si edhe banorëve të zonës që i erdhën atij në ndihmë.

Referuar të dhenave të dala nga Shërbimi Veterinar i Fierit nuk rezulton që ferma të jetë prekur nga gripi i shpendëve. “Nuk kemi të bëjmë me sëmundje inflamatore, si grupi i shpendëve. Pegjigja e analizave ka dalë negative për këtë. Dyshojmë se bëhet fjalë për ndonjë sëmundje bakteriale”, bëjnë me dije burimet nga Shërbimi Veterinar i Fierit për ABC.

Gjatë rrëfimi për ABC, fermeri Adrian Muka tha se gjithçka kishte nisur gjatë ditëve të para të këtij muaji duke bërë që të ngordhnin 4 200 rosa. Për shkak të numrit të madh të shpendëve të ngordhur brenda pak kohësh, ai ka kërkuar ndihmën e banorëve të zonës, të cilët më pas shfaqen probleme shëndetësore duke përfunduar në spital.

Edhe vetë fermeri në fjalë ka përfunduar në spital, ndërkohë që shprehet se ka patur temperaturë deri në 40 gradë.

Më kanë ngordhur 4 200 rosa këtu. Gjithçka nisi në fillim të muajit dhe deri më tani. Thirra disa bashkëfshatarë këtu që të më ndihmonin dhe pas kësaj ata përfunduan në spital me temperaturë të lartë. Edhe unë kam 4-5 ditë me temperaturë që shkon deri në 40 gradë Celsius. Nuk e di çfarë ka ndodhur pasi nuk kanë dalë ende me një përfundim pas marrjes së mostrave nga ferma ime”, u shpreh më herët Ardiani për ABC.

Ai tha më herët se gjatë ditës së sotme në fermë kishin shkuar një grup nga Drejtoria e Veterinerisë së Fierit, të cilat kanë vënë të gjithë zonën në karantinë duke bërë ndërkohë edhe zhvarrosjen e shpendëve të ngordhur.

Erdhën të bëjnë zhvarrosjen ata të drejtorisë së Veterinerisë së Fierit, ndërkohë që nga bashkia me kanë sjellë vetëm një sasi uji pak ditë më parë. Askush tjetër nuk ka ardhur të më ndihmojë”, tregoi ai. /abcnews.al