Nata e 1989-ës që ndryshoi Putinin përgjithmonë

Për shumë analistë, obsesioni i Vladimir Putinit për të rikthyer pushtetin sovjetik, është mëse logjik.

Si ish-anëtar i KGB-së, i formuar gjatë Luftës së Ftohtë, kreu i shtetit rus 70-vjeçar, ndjek kryesisht modelet e adoptuara në rini. Kushdo që dëshiron ta kuptojë sot Putinin, duhet të dijë historinë e tij si agjent i KGB-së, por veçanërisht, ngjarjet traumatike të nate në fund të viteve 1980, në Gjermaninë Lindore.

Në krye të herës, le të themi se Putini, nuk ishte nga spiunët “krem” të KGB-së.

Ndonëse shpesh portretizoheshin si të tillë, spiunët më elitarë dhe më të aftë sovjetikë, e kishin shtrirë aktivitetin në qendrav të mëdha, si: Nju Jorku, Uashingtoni, Londra dhe të tjera pika kyçe të botës perëndimore. Përkundrazi, në Dresden – zonë e parëndësishme strategjike, ai ishte një mbikëqyrës i zakonshëm për Moskën, i Stasit të Gjermanisë Lindore, policisë sekrete të shefit të atëhershëm të RDGJ-së, Erich Honecker.

Platov, ishte pseudonimi i asaj kohe

Në vitin 1975, i sapodiplomuar për drejtësi ndërkombëtare në Universitetin e Leningradit, Putini u punësua nga shërbimet sekrete sovjetike.

Pesë vjet më vonë, kur do të ishte nënkolonel, i martuar me ish-stjuardesën e “Aeroflot”, Ludmilla Alexandrovna Skrebneva dhe baba, ai u dërgua si shef misioni në Dresden, në RDGJ, në mbledhjen e informacionit mbi disidentët, si dhe për të vlerësuar punën e kolegëve.

Tanimë, me pseudonimin Platov. Kryeqyteti i Saksonisë i hyri në zemër, megjithëse pikërisht aty filloi të lëkundet universi i tij. Këto ishin vitet e perestrojkës së Gorbaçovit dhe që, udhëheqësit komunistë të Gjermanisë Lindore, e refuzuan.

Nata e vitit 1989, që e ndryshoi përgjithmonë Putinin

Natën e 5 dhjetorit 1989. Më pak se një muaj, pas rënies së Murit të Berlinit dhe nënkoloneli Putin, i cili, kishte kaluar ditë e net duke djegur dokumente konfidenciale, thirri garnizonin sovjetik të vendosur në Potsdam, duke kërkuar ndihmë dhe ndërhyrje të armatosur. Një turmë e zemëruar kishte rrethuar ndërtesën e KGB-së, me kërcënimin se do ta sulmonte. Përgjigja ishte negative: “Ne presim urdhra nga Moska, por qendra hesht”.

Ajo fjali, e shënjoi përgjithmonë jetën e tij.

Paraliza e pushtetit dhe kaosi i sheshit, prej atëherë u bënë makthi i Putinit. Sikurse tha në vitin 2000, kur u zgjodh president i Rusisë, “në ato rrethana, funksionon vetëm një gjë: duhet të godasësh më parë dhe të godasësh aq fort, sa kundërshtari yt, të mos jetë më në gjendje të ngrihet”.”Ne do të kishim shmangur shumë probleme,” – shtoi ai, – “nëse nuk do ta kishim lënë kaq shpejt, Evropën Lindore.”

Më e rënda, sipas Putinit, ishte rënia e mëvonshme e Bashkimit Sovjetik, kur shkëputja e republikave, veçanërisht e atyre sllave, “i bëri rusët, grupin etnik më të madh në botë, që ndahej me kufijtë shtetërorë”.

Ndoshta atë natë, tek ai kishte lindur misioni… për ta ribashkuar atë.


Shtuar 19.03.2022 10:47