"Shqiponjat" shqiptare ne fushebeteje te Afganistanit
Albeu.com
Në vijën e frontit të luftës në Afganistan tashmë do të zbarkojnë edhe ushtarët e parë shqiptarë. Komandanti i misionit “Eagle” (shqiponjat), që ka fluturuar të mërkurën drejt Afganistanit në shërbimin paqeruajtës të radhës, ka marrë flamurin nga kryeministri Sali Berisha.
Që prej gushtit 2002, kur 30 komando u nisën për herë të parë me mision në Kabul, këta 48 oficerë e nënoficerë janë të parët që do zbresin në fushëbetejë në një front të vështirë sikurse është Kandahari.

“Qeveria ime është e vendosur të punojë të mbështesë forcat tona të armatosura dhe në kohërat që vijnë ne të mund të shpalosim edhe një batalion. Ju shkoni në një front të vështirë, por shkoni në kuadrin e një aleance që nuk ka njohur veçse fitore”, theksoi Berisha. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Maksim Malaj i përshëndetën ushtarët para nisjes për në front. “Si ministër i Mbrojtjes kam një porosi, tregohuni burra shqiptarë trima dhe të besës, veproni me ashpërsi, por pa urrejtje”, u shpreh Imami, transmeton TCH.

Ndërkohë, pas rebelimit të ushtarakëve të kthyer nga misioni paqeruajtës në fillim të janarit, të cilët kërkuan të mos u tatohej dieta ditore për të cilën ata kishin firmosur kontratë me shtetin shqiptar, oficerët që shkojnë kësaj radhe në Afganistan do ta kenë pagesën 12 mijë lekë në dite, prej të cilës 10 për qind tatohet.
Shtuar më 29/07/2010, ora 04:21
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori