Shqipja bashkon partitë shqiptare
Albeu.com
nga Bekim MURATIDështon edhe tentimi i dytë i shumicës parlamentare për ta kaluar rregulloren e re në komisionin parlamentar. Edhe në seancën e të mërkurës komisioni jurdiko-ligjvënës nuk ka mbështetur propozim tekstin, pasi që e njëjta është kundërshtuar nga partia shqiptare në pushtet, PDSH. Ndërkohë edhe BDI nuk pajtohet. Kundër propozim tekstit kanë votuar deputetët e LSDM-së, ndërsa deputetët e PDSH-së dhe të BDI-së kanë abstenuar gjatë aktit të votimit. Të dyja partitë politike shqiptare kërkojnë që përdorimi i gjuhës shqipe të jetë në të gjitha nivelet, përfshirë edhe udhëheqjen e seancave plenare në raste kur me to udhëheq nënkryetari shqiptarë, si dhe i tërë materiali parlamentar të jetë edhe në gjuhën shqipe.
Deputeti i PDSH-së, Ruzhdi Matoshi, ka kërkuar sqarim rreth 46 ligjeve, të cilët janë kyçur në rregulloren e re dhe do të duhet të votohen me shumicën e dyfishtë. Ai ka pyetur propozuesin, se cili do të jetë roli i Komitetit në të ardhmen pasi që me Rregulloren e re përfshihen ligjet, të cilat do të votohen me shumicën e dyfishtë. "Në Maqedoni janë diku rreth 3 mijë e 700 ligje, nga të cilët 1 mijë e 100, janë ligje sistemore. Në bazë të kësaj ato 46 ligjet për të cilët janë marrë vesh BDI-ja dhe VMRO-DPMNE-ja janë vetëm një pikë uji në det", ka thënë Matoshi. Deputetit të PDSH-së i është kundërpërgjigjur deputetja e VMRO-DPMNE-së, Bllagorodna Duliq. Sipas saj, lista e ligjeve të cilat do të votohen me shumicën e dyfishtë nuk përfundon këtu. Duliq është shprehur se Komiteti për Marrëdhënie mes bashkësive do të jetë ai, i cili në rast se paraqitet kontest mes deputetëve do të shqyrtojë atë ligj dhe do të sjellë vendim se i njëjti a duhet të miratohet me shumicën e dyfishtë.
"Këta 46 ligje të cilët janë përfshirë në rregullore janë ligje për të cilët mendojmë se nuk ka dyshim se duhet të votohen me shumicën e dyfishtë, që donë të thotë se edhe ligje të tjera mund të votohen me Badenter nëse për ata vendos Komiteti për marrëdhënie mes Bashkësive", ka thënë Duliq. Deputeti Safet Neziri në emër të BDI-së është shprehur se nuk do ta mbështesin Rregulloren e re, në qoftë se nuk pranohen amendamentet e tyre me të cilat gjuha shqipe do të përdoret në të gjitha nivelet. "Ne kemi propozuar amendament me të cilin kërkojmë që gjuha shqipe të përdoret në të gjitha nivelet e parlamentit të Maqedonisë. Në rast se nuk pranohen amendamentet tona ne nuk do ta mbështesim këtë rregullore" ka thënë Neziri. Ndërkohë, partia maqedonase në opozitë LSDM-ja edhe më tej nuk heq dorë nga iniciativa e saj për të propozuar rreth 2 mijë amendamente për Rregulloren e re të Parlamentit. Koha
Shtuar më 12/07/2007, ora 21:29
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori