Në karantinë për 2 javë, Kumbulla zbulon si mbijeton me “dashurinë” e tij (FOTO LAJM)

Ashtu si të gjithë futbollistët e Veronës edhe Marash Kumbulla, ka përfunduar në karantinë këtë javë pasi u mësua se futbollistët e Sampdorias, skuadrës së fundit ndaj të cilës luajtën, kanë rezultuar pozitivë. Të gjithë janë të detyruar të qëndrojë 2 javë të izoluar nga të tjerët nën kontrollin e mjekut, me shpresën që të mos shfaqin simptomat e COVID-19.

Me një postim mjaft humoristik në Instagram, Kumbulla ka treguar se nuk do të kishte jetuar dot pa gjënë më të shtrenjtë, Play Station me të cilën kalonte kohën. Por njëkohësisht, ai ka dhënë edhe mesazhin e rëndësishëm që të gjithë duhej të qëndronin të mbyllur në shtëpitë e tyre.

“E dashura Play Station, po të mos ishe ti… nuk të kam dashur kurrë kaq shumë sa në këtë periudhë!!! Dhe ju lutem, me apo pa Play Station, qëndroni në shtëpi. Tani është gjëja më e rëndësishme. Bëni atë që ju pëlqen më shumë, por bëjeni në shtëpi. Gjithçka do të shkojë mirë”, ishte mesazhi i futbollistit kuqezi.

Edhe lojtarë të tjerë të kombëtares shqiptare në ditët e kaluara kanë treguar se si sfidojnë njëri-tjetrin me lojëra në Play Station, duke bërë të qartë se tani ky është kthyer në argëtimin e tyre kryesor.


Shtuar 14.03.2020 07:40