Shqipëria të ndërhyjë me mesazh moderacioni për protestat e dhunshme
Pëlqej
Albeu.com
Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Spanjës, Miguel Angel Moratinos, i kërkoi dje Shqipërisë të ndërhyjë me mesazh moderacioni për protestat e dhunshme në shtetet arabe.Një qëndrim të tillë, Moratinos i ka kërkuar dhe Turqisë. Faktikisht Shqipëria dhe Turqia janë dy vende evropiane që janë pjesë në Konferencën Islamike. Shqipëria ka aderuar në këtë organizëm në vitin 1994. Ndërsa duket se vota e vendit tonë do të ketë një rëndësi të veçantë për situatën e krijuar. Moratinos, bëhet e ditur se, ka qenë i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian për Lindjen e Mesme.

Qëndrimi

«Është e vërtetë se Shqipëria është një vend me shumicë popullsie myslimane dhe gjatë bisedimeve kemi trajtuar edhe këtë problematikë të ekseseve që po ndodhin në Botën Arabe ndaj këtyre botimeve. I kam kërkuar kolegut tim shqiptar, si anëtar i Konferencës Islamike, që të dërgojë atje mesazhin e moderacionit», tha dje Moratinos. Gjithashtu, ai shtoi se këto ditë ka patur rastin të bisedoj me sekretarin e Përgjithshëm të Konferencës Islamike, me sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe gjithashtu me ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, ku u ka transmetuar shqetësimin për atë çka po ndodh në lidhje me dhunimet e ambasadave daneze dhe norvegjeze. Ai ka bërë të ditur se ka kërkuar dhe një respekt në ndjeshmërinë fetare dhe kulturore të vendeve arabe.

Deklaratat

Si qeveria shqiptare dhe ajo turke kanë dënuar protestat e dhunshme, si dhe kanë kërkuar repektimin e tolerancës që duhet të karakterizojë marrëdhëniet mes popujve. Moratinos tha se “këtë gjë e ka bërë edhe President i Turqisë, Kryeministri i Spanjës, Zapatero, duke u bërë thirrje vendeve arabe për qetësi dhe për të respektuar këto ndjeshmëri. Dhe ky do të jetë qëllimi ynë final”. Ndërsa, në një deklaratë për mediat, Qeveria shqiptare dënon ashpër djegien nga ekstremistët të ambasadës daneze në Bejrut si dhe djegien e ambasadave daneze dhe norvegjeze në Damask, një ditë më parë. “Këto akte të dhunshme janë të papranueshme, të pajustifikueshme dhe në kundërshtim flagrant me frymën e mirëkuptimit, tolerancës e bashkëpunimit që duhet të karakterizojnë marrëdhëniet mes popujve. Shqipëria, konsideron se liria e shprehjes së mendimit dhe ajo e besimit nuk përjashtojnë, por përkundrazi, konsolidojnë njëra-tjetrën”, thuhet në deklaratë.

Takimet

Ministri Moratinos ka zhilluar dje takime me krerët më të lartë të shtetit shqiptar. Ai i ka paraqitur Presidentit Moisiu përshëndetjet e mbretit të Spanjës. Ndërsa në takimin me Kryeministrin Berisha, ai e ka ftuar këtë të fundit për një vizitë në Spanjë. Po kështu dhe ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Mustafaj, i cili ka konfirmuar vizitën në Spanjë brenda këtij viti. Moratinos gjithashtu i ka bërë ftesë Shqipërisë që të marrë pjesë si vëzhguese në Samitin Euromesdhetar të Barcelonës.

Spanja hap ambasadën në Shqipëri

Moratinos ka deklaruar dje hapjen e ambasadës spanjolle në vendin tonë. Ky vendim është vlerësuar si një shenjë e mirë e rritjes së marrëdhënieve mes të dy vendeve. Në takimin mes dy ministrave të Jashtëm, është shprehur besimi se me hapjen e ambasadës do të ketë rrite të investimeve mes të dy vendeve. Ndërsa është theksuar se është rënë dakord për heqjen e vizave nga pasaportat diplomatike dhe ato të shërbimit. Në lidhje me këtë, ministri Moratinos tha se “para 25 viteve, qeveria spanjolle më dërgoi për vizitë eksplorimi në Shqipëri, për mundësinë e zhvillimit të marrëdhënieve midis dy vendeve. Kush do të më thoshte mua që pas disa vitesh do të vija në Shqipëri si ministër i Jashtëm i Spanjës, duke kryesuar një delegacion të Ministrisë së Jashtme të Spanjës dhe qeverisë spanjolle, në Tiranë. Mund t’ju konfirmoj se jo me vonë se në muajin maj do të ketë një ambasador të Spanjës në Tiranë, me synim që të zhvillojë më tej marrëdhëniet mes dy vendeve”.

Mustafaj

Kjo është një vizitë historike e zotit Moratinos në Shqipëri, dhe unë ndjehem shumë i nderuar që e prita. Zoti Moratinos është në origjinë të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Spanjës. Do të kemi një mbështetje të gjerë të Spanjës në procesin e integrimit evropian dhe në NATO, dhe, sidomos nën kujdesin e Spanjës, Shqipëria do të zhvillojë një dimension të rëndësishëm në politikën mesdhetare.

Moratinos

Për të promovuar gjuhën spanjolle në Shqipëri nëpërmjet “Institutit Servantes” dhe për një gjë të tillë do të kemi një lektor në Universitetin e Tiranës dhe gjithashtu një zyrë të “Servantesit” në ambasadën që do të hapet në Tiranë. Spanja do të mbeshtesë dhe perspektivën dhe horizontin evropian të Shqipërisë, dhe gjithashtu do të mbështesë perspektivën euroatlatike të Shqipërisë dhe integrimin e saj në NATO.

Moratinos

Nuk do të harrojmë se Spanja dhe Shqipëria janë dy vende mesdhetare, dhe se në afat të shkurtër, të mesëm apo të largët do të kemi përpara të njëjtat sfida, dhe është vullneti i qeverisë së Spanjës të afrojë Shqipërinë në proceset euromesdhetare.

Moratinos

Ne mbështesim, gjatë presidencës austriake, të gjitha negociatat që po zhvillohen, gjithashtu mbështesim nënshkrimin gjatë kësaj presidence të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Dhe kur të marrim kryesimin, në 2010, do të japim një shtytje të mëtejshme për integrimin evropian.

Mustafaj

Jemi të bindur se e vetmja formulë për statusin final të Kosovës, që prodhon stabilitet, do të jetë pavarësia. Dhe kjo pavarësi duhet shoqëruar me disa kushte, apo garanci të domosdoshme. Të tilla janë: mbrojtja e të drejtave të minoritetit serb dhe të minoriteteve të tjera, mosndryshimi i kufijve, pra mosbashkimi i Kosovës me ndonjë shtet fqinj, mosndarja e Kosovës, si dhe një prezence ndërkombëtare civile dhe ushtarake, mandati i të cilës duhet të negociohet nga negociatorët.
nga Brahim Shima, Gazeta Metropol
Shtuar më 07/02/2006, ora 14:11
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori