Shqipëria si të ishte perfekte, spiunët nuk gjejnë asnjë shkelje në 11 ministri
Një ligj i miratuar tri vite më parë dhe që ka sjellë ngritjen e njësive të posaçme brenda institucioneve publike dhe kompanive private me mbi 100 persona të punësuar, duket se është in-efiçent të paktën në rastin e ministrive.

Në një raport nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit mbi zbatimin e ligjit nr. 60/2016, ka rezultuar se nuk është sinjalizuar asnjë rast korrupsioni.

Ligji parashikonte “krijimin e strukturave të posaçme, njësive përgjegjëse, brenda çdo autoriteti publik, i cili ka më shumë se 80 të punësuar, dhe subjekti privat, i cili ka më shumë se 100 të punësuar. Këto njësi përgjegjëse hetojnë administrativisht dhe shqyrtojnë sinjalizimet në zbatim të këtij ligji”.

Sipas KShH-së, në sektorin publik janë ngritur dhe funksionojnë 166 njësi përgjegjëse, të cilët mund të marrin sinjalizime nga punonjësit apo ish-punonjësit në institucionet shtetërore. Ndërkohë, 22 persona janë të vendosur në 11 Ministri, të cilët konsiderohen si zbatuesit e drejtpërdrejtë të këtij ligji

“Megjithatë asnjë rast sinjalizimi i brendshëm nuk është regjistruar në njësitë përgjegjëse të këtyre institucioneve. Gjithashtu, rezulton se nga këto Ministri nuk ka patur raste të sinjalizimit të jashtëm në ILDKPKI, institucion në të cilin nëpunësit publik mund të drejtohen”, sqaron KHSH-ja.

Raporti sqaron se përbërja e njësive është e njëjtë në pothuajse të gjitha Ministritë, me 2 punonjës ndër të cilët “njëri prej tyre me detyrën Drejtor i Auditit të Brendshëm dhe tjetri me detyrë Përgjegjës Sektori/Specialist/Auditues i Drejtorisë së Auditit”.

Shqetësimin e mungesës së sinjalizimeve e ka ngritur më herët edhe kreu i ILDKPI-së, Shkëlqim Ganaj, i cili tha gjatë muajit maj se vetëm nga tre institucione shtetërore ka pasur sinjalizime për korrupsion, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Porti i Durrësit.
Shtuar më 05/06/2019, ora 19:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori