Shqipëria përballë pasojave ekonomike të shkaktuara nga pandemia
Marina Kerceli

Që prej fillimit të muajit mars të vitit të kaluar, Shqipëria vazhdon të jetë e mbërthyer nga kriza e pandemisë Covid-19. Masat e forta shtrënguese për parandalimin e koronavirusit paralizuan disa nga hallkat e ekonomisë. Pasojat e krizës në ekonomi shfaqen të rënda nga dita në ditë: falimentime biznesesh, shtim i papunësisë, rënie e fuqisë blerëse, e prodhimit vendas dhe shkëmbime tregtare, kjo e fundit si pasojë e mbylljes së kufijve mes shtetesh.

Është dukur se kjo pandemi ka shkaktuar pengesa të mëdha në funksionimin e ekonomisë. Tashmë i lartë është edhe numri i regjistrimit të qindra vende pune të humbura në Shqipëri, saktësisht 30 mijë, prej fillimit të pandemisë. E veçanta e kësaj pandemie është se i ka prekur gjithë rajonet dhe gati të gjitha shtetet e botës, edhe pse vdekshmëria nga virusi Covid-19 nuk është aq e lartë, por kur bie fjala tek Shqipëria pasojat e pandemisë janë më të dukshme. Në përpjekje për të parandaluar përhapjen e virusit, kryeministri i vendit Edi Rama, ashtu si dhe udhëheqësit e shumë vendeve të botës, ndërmori masa të izolimit social që kërkonin mos shkuarjen në punë në shumë sektorë ekonomikë. Kjo gjë ndikoi në rënien e aktivitetit ekonomik dhe humbjen e vendeve të punës. Për t’u siguruar që këto dëme nuk janë permanente, qeveria jonë ashtu dhe si shumë qeveri të tjera, ndërmori masa ekonomike për të mbajtur gjallë ekonominë. Disa nga masat janë: pagesa e pagave për individët e punësuar në firma dhe atyre të vetë-punësuar, pezullimi i pagesave të kredive si dhe qirave të faturave të ujit e energjisë.

Të parët sektorë që u dëmtuan ishin ata të cilët lidhen me udhëtimet, tregtinë dhe shërbimet për shkak të masave të njëpasnjëshme të qeverisë për vazhdimin e bllokimit të kufijve, fluturimeve. Industritë e prekura direkt janë fasoneria, industria përpunuese, turizmi, sektori i tregtisë. Industria e turizmit është prekur e para, pasi në thelb ka lëvizjen, dhe në një vend me kufizime dhe kufij të mbyllur mes shtetesh, ishte një gjunjëzim që iu bë një prej shtyllave kryesore të ekonomisë të këtij vendi, siç është turizmi. Dhe si pasojë solli që sot të kemi një tkurrje të ndjeshme të turistëve të huaj, me një rënie të thellë me 3.8 milionë më pak turistë se viti i kaluar. Si dhe shumë qepena të agjencive turistike vazhdojnë të qëndrojnë mbyllur. Edhe pse ekspertët nuk mund t’i parashikojnë me saktësi dëmet në ekonomi deri në këto momente që flasim, por ajo që ata mendojnë në përgjithësi lidhet me faktin se ajo që po ndodh deri më tani është vetëm maja e ajsbergut, që nënkupton se do të preken akoma me tepër sektorët që janë vetë zemra e ekonomisë së vendit.

Ndaj deri në këtë moment, Shqipëria ka pësuar një rënie të recesionit prej 6.1% gjatë vitit 2020, ku pritet që të kemi një rritje prej 5.5% të ekonomisë. E megjithatë pavarësisht krizës, ekonomia pritet të ketë një rimëkëmbje, edhe pse këtë vit me ritme të ngadalta, ku rindërtimi, investimet publike e gjallërimet e konsumit, shihen si shtyllat kryesore ku do të mbështetet rritja ekonomike e parashikuar nga qeveria në masën 5.5%.

Por sa është dëmtuar sektori privat? Dhe çfarë mund të bëjnë vetë bizneset për rimëkëmbje ekonomike?
Kriza e pandemisë goditi fort bizneset, ku shumë prej tyre, sidomos ato të vogla nuk arritën t’i mbijetojnë mbylljes së ekonomisë për 3 muaj dhe masave të tjera kufizuese. Të dhënat e Qendrës Kombëtare së Biznesit, tregojnë se në vitin 2020, ulën qepenat 4887 biznese, dhe mbi 7687 të tjera pezulluan aktivitetin e tyre, ku pjesa më e madhe e tyre i përket sektorit të turizmit. Por situata në terren është ajo që sjell një panoramë akoma më pesimiste , ku pothuajse në çdo rrugë janë të dukshme mbishkrimet që shoqërojnë çdo biznes: jepet me qira, shitet biznesi ose malli nën kosto.

Në këto raste a mund të themi se kjo ishte një situatë e pritshme?
Edhe pse për shumicën e popullsisë është krijuar tek gjithsecili një farë paniku, në pikën sesi do të vijojë ecuria e ekonomisë, duke qenë se më i prekuri nga kjo pandemi është sektori privat me përfaqësi njerëzit e thjeshtë por për përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë, kjo situatë është e pritshme në kushtet e një pandemie globale.

Për ta 2020- ta, ishte një vit i vështirë, por nuk përbën një rrezik për transmetimin e krizës në vitet e ardhshme. Edhe pse kemi afro 30.000 mijë të papunë, kjo sipas tyre nuk ka ndikuar tek kontributet e mbledhura. Pasi tani që disi masat janë liruar dhe biznesi filloi të marrë frymë, ka rifilluar punësimi i punonjësve, dhe kjo do të sjellë akoma dhe më tepër kontribute të mbledhura në arkën e shtetit.

Ashtu siç dhe e përmenda më sipër, kriza emergjente shëndetësore e shkaktuar nga pandemia Covid-19, preku direkt të gjithë tregun e punës. Ndaj, lehtësimi i masave kufizuese dhe hapja graduale e veprimtarive të biznesit nuk nënkupton kthim të menjëhershëm në situatën para pandemisë. Prandaj, përfundimisht, tregu i punës mund të mos jetë më i njëjti sikurse në kohën e para pandemisë. Andaj, periudha e pas pandemisë mund të jetë një fillim i ri për shumë politika publike, përfshirë edhe ato të mirëqenies sociale. Ndërkohë qeveria duhet të mendojë për pasojat më afatgjata të krizës dhe t’i zbusë ato. Sepse, ashtu sikur në shtetet tjera edhe në vendin tonë, pandemia do të ketë efekt ekonomik. Pasojat ekonomike të saj mund të jenë shumë të rënda. Rreziku është i madh që të thellohet hendeku mes të pasurve dhe të varfërve. Pra virusi nuk i ka prekur të gjitha shtresat njësoj, dhe sigurisht që shtresa e mesme dhe e varfër do ta pësojnë më shumë.

Por çfarë mund të bëjë Shqipëria, për të zbutur efektet e pandemisë?
Së pari duhet të transferohen të ardhura themelore, një shumë e caktuar për secilin individ, që ua mundëson familjeve ta përballojnë krizën. E më vonë, duke pasur parasysh edhe mundësinë e rikthimit të virusit, dhe pas procesit të vaksinimit, duhet të kufizohen importet e produkteve finale nga shtetet më të prekura, në mënyrë që t’i jepet hapësirë industrisë vendore të rimëkëmbet. Këto janë vetëm disa nga masat që duhet t’i marrë qeveria për ta ringjallur ekonominë. Si vend me ekonomi të dobët, masa të ngjashme do të duhej të merreshin edhe këtu. Mirëpo pandemia i bën këto masa urgjente. Ashtu siç në aspektin global pandemia po e godet fortë qasjen neo-liberale në ekonomi, edhe brenda vendit duhet të instalohet një qasje e re ku si pasojë realizohet roli adekuat i shtetit në ekonomi.
Shtuar më 27/01/2021, ora 14:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori