Shqipëria nis kryesimin e SEECP-së me Ministerialin e Nju Jorkut
Pëlqej
Në kuadër të Sesionit të 69 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ministri i Jashtem Ditmir Bushati, kryesoi Këshillin e Ministrave të Punëve te Jashtme të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Jug-lindore (SEECP).



Takimi i Nju Jorkut përben një moment të veçantë, pasi ai shënon fillimin e kryesimit shqiptar të SEECP-së, forumit më të lartë të bashkëpunimit për vendet e Evropës Jug-lindore. Në takim u shpallën prioritetet e Kryesisë shqiptare 2014 – 2015 të cilat janë: forcimi i rolit rajonal të SEECP-së, promovimi i dialogut mes vendeve anëtare si një mjet për funksionimin e SEECP-së, si dhe konsolidimi i sektorëve jetikë të SEECP. Gjatë takimit u miratua dhe kalendari i aktiviteteve që do të zhvillohen përgjatë kryesisë shqiptare.

Kryesia shqiptare e SEECP-së përbën një angazhim të rëndësishëm politiko-diplomatik, në funksion të promovimit të mëtejshëm të rolit e të politikës së vendit tonë në rajon e më gjerë. Gjatë kryesisë sonë, në Tiranë do të zhvillohen disa takime të nivelit të lartë, ku do të marrin pjesë kryetarë shtetesh/qeverish, kryetarë parlamentesh, ministra të jashtëm dhe ministra të tjerë, sipas prioriteteve të presidencës sonë.

Ministri Bushati mori pjesë në takimin që zhvilloi Ndihmës Sekretarja e Shtetit, Victoria Nuland, me përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Takimi kishte në fokus koordinimin e ndërveprimit ndaj rrezikut që paraqesin luftëtarët e huaj.

Gjatë këtij takimi, Ministri Bushati u shpreh se “Shqipëria është krenare që është ndër vendet e para që i janë përgjigjur kësaj sfide dhe ajo është angazhuar me kontribute konkrete, përkrah Shteteve të Bashkuara, si pjesë e koalicionit ndërkombëtar në luftën kundër ISIL”.

Nuland shprehu vlerësim për kontributin e dhënë nga Shqipëria si një dëshmi në drejtim të ruajtjes së stabilitetit, paqes e prosperitetit në rajonin tonë e më gjerë, në luftë kundër terrorizmit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Në kuadër takimeve dypalëshe që po zhvillon në Nju Jork, Ministri Bushati u takua me Zv/ Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit Shtetit, Hoyt Yee. Gjatë takimit palët vlerësuan marrëdhëniet dypalëshe si të shkëlqyera dhe te një rëndësie parësore strategjike. Ministri Bushati shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të qenë partner i vendosur, përkrah SHBA-së, për ruajtjen e stabilitetit, paqes e prosperitetit në rajonin tonë e më gjerë, si dhe për luftën kundër terrorizmit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Nga ana e tij, Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit, Hojt Yee, vlerësoi progresin e Shqipërisë, reformat për forcimin e shtetit ligjor, sundimin e së drejtës në ekonomi dhe avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, duke rikonfirmuar vijimin e mbështetjes për Shqipërinë në të gjitha proceset demokratizuese dhe integruese.
Shtuar më 26/09/2014, ora 10:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori