Shqipëria merr në 2015-ën Presidencën e Komunitetit të Energjisë
Pëlqej
Ministri i Energjisë e Industrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, mori pjesë në punimet sesionit të 12-të të Këshillit Ministerial të vendeve anetare të Komunitetit të Energjisë i cili u zhvillua Kiev. Ministri Gjiknuri paraqiti para të pranishmëve prioritetet e Presidencës shqiptare dhe objektivat kryesore.

“Sot, më shumë se kurrë, palët kontraktuese duhet të kuptojnë rëndësinë e shfrytëzimit të potencialit të plotë të kuadrit ligjor të Komunitetit të Energjisë me qëllim reformimin e sektorit të energjisë dhe krijimin e një zone të përbashkët rregullatore me Bashkimin Evropian”, u shpreh Z.Gjiknuri.

Ministri tha se e mbështet plotësisht rolin aktiv të Komunitetit të Energjisë në promovimin e tregut të integruar energjitik dhe përpjekjet për zbatimin e paketës së tretë të energjisë.

“Zbatimi i paketës së tretë, ndonëse nuk do të jetë diçka e lehtë, është parakusht për një kuadër rregullator dhe koherent, si bazë për një treg të integruar evropian të energjisë që siguron konkurencë efektive dhe fuqizon rolin e konsumatorit”, u shpreh Ministri.

Z.Gjiknuri insistoi se politikat që garantojnë furnizim të sigurtë, konkurues dhe të qëndrueshëm të energjisë do të jenë në krye të axhendës. Në këtë linjë, ministri përmendi adoptimin e rregullave të reja për të adresuar sfidat e ardhshme, konkretisht rregulloren mbi sigurinë e furnizimit me gaz, atë për infrastrukturën energjetike, transparencën në tregjet e energjisë dhe direktivën e efiçiencës së energjisë. /albeu.com/

Shtuar më 23/09/2014, ora 15:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori