Shqiperia me mburoje anti-raketore?
Albeu.com
Sipas shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Shqipërisë, Maksim Malaj, së shpejti pritet ardhja e disa ekspertëve të NATO’s në Shqipëri, të cilët do të shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së sistemit të mbrojtjes anti-raketore.
Malaj kështu për televizionin ‘Alsat’ e konfirmoi atë që një ditë më parë e pohoi edhe kryeministri Sali Berisha, sipas të cilit Tirana zyrtare nuk e kundërshton vendosjen e këtij sistemi.

“Është ky një proces që do të kërkojë një studim dhe analizë të gjithanshme të të gjithë faktorëve gjeostrategjikë, dhe nëse ekspertët vendosin që Shqipëria duhet të jetë vendi ku duhet vendosur mburoja, atëherë padyshim se ky është një detyrim i yni. Ne, krahas masave që ndërmerr Aleanca, do të detyrohemi të ofrojmë kapacitetet tona ashtu që kjo detyrë të gjejë zbatim”, tha Malaj.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm sqaroi edhe përfitimet që do t’i ketë Shqipëria nga vendosja e një sistemi të tillë.

“Nëse një vendim i tillë merret nga Aleanca, kjo atëherë është mjaft e rëndësishme, për shkak se do t’i shërbejë jo vetëm mbrojtjes së Shqipërisë, por edhe të vendeve të Aleancës”, tha Malaj.

I pyetur për rreziqet që mund të sjellë ndërtimi i këtij sistemi, Malaj garantoi se “mbrojtja kundër-raketore shërben për mbrojtje” dhe se nuk mendon “se mund të ketë ndonjë rrezik”.

Sistemi i mbrojtjes anti-raketore ishte edhe pjesë e bisedimeve që sekretari i Përgjithshëm i NATO, Anders Fogh Rasmussen, pati ditë më parë me zyrtarët më të lartë në Tiranë. Kur gjatë konferencës së përbashkët për media, kryeministri Berisha u pyet nëse do të pranonte mburojën raketore në territorin shqiptar, Berisha theksoi se Shqipëria, si vend anëtar i NATO, do të plotësojë çdo kërkesë që i parashtrohet.

“Shqipëria është e gatshme që t’i japë përgjigje pozitive çdo kërkese të Aleancës, që ajo e gjykon të nevojshme apo të domosdoshme për paqen sigurinë dhe stabilitetin”, deklaroi Berisha.

Edhe Michael Turner Evanoff, drejtor i Zyrës së Sigurisë në NATO, ka qëndruar për një vizitë joformale treditore në Shqipëri. Sipas gazetës ‘Gazeta Shqiptare’, ai në Shqipëri ka qëndruar nga 27 prilli deri para vizitës së Rasmussen. Shkaqet e qëndrimit të Evanoff në Tiranë mbetën mister, ndonëse mendohet se vendosja e sistemit të mbrojtjes anti-raketor mund të ketë qenë njëri prej tyre.
Shtuar më 04/05/2010, ora 02:41
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori