Shqiperia: Kategorikisht kunder ndarjes se Kosoves
Pëlqej
Albeu.com
Shqipëria mbështet pa asnjë rezervë autoritetet e Republikës së Kosovës. Janë këto autoritete që kanë legjimitetin për marrjen e vendimeve në raport me Republikën e Kosovës dhe zhvillimet në të, ka deklaruar kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli.
“Besojmë se OKB, në vijim të udhëzimit të sekretarit të përgjithshëm, do të ndërmarrë veprimet e duhura për përmbylljen në kohë të rikonfigurimit të misionit të saj nё Kosovë, në përshtatje me realitetin e ri të krijuar atje, pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës vendase”, ka thënë ndër të tjera Topalli, pas takimit që ka zhvilluar me kryetarin e Parlamentit (Dhomës së Popullit) të Bosnjës e Hercegovinës, Niko Lozançiq.

Shmangia e çdo vakumi pushteti, sqarimi i raporteve UNMIK-EULEX-NATO (KFOR), duke përjashtuar kategorikisht mundësinë për “ndarjen gjeografike” të shtrirjes së tyre në territorin e Kosovës, shmangia e çdo ndarje institucionale mbi baza etnike, si dhe e mbivendosjes së kompetencave, sipas Topallit, janë disa nga hapat vendimtarë që do të parandalonin përshkallëzimin e situatës, veçanërisht, në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Shqipëria bashkohet me mendimin që Misioni i BE, EULEX, i shtrirë në gjithë territorin e Kosovës, bazuar në Planin Ahtisari, të funksionalizohet plotësisht brenda afatit të përcaktuar dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet legjitime të Republikës së Kosovës, ka thënë ajo.

Shqipëria, ka shtuar Topalli, është e bindur se paraqitja e planeve për ndarje mbi baza etnike, angazhimi për ndërtimin e një shteti paralel, që cenojnë tërësinë territoriale të shtetit të pavarur të Kosovës, përbëjnë një rrezik serioz për paqen, sigurinë dhe stabilitetin, jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin tonë.

“Duke kundërshtuar kategorikisht ndarjen e Kosovës, Shqipëria konfirmon angazhimin e plotë për respektimin e kufijve ndërkombëtarë”, është shprehur kryeparlamentarja Topalli. (telegrafi/albeu)
Shtuar më 25/11/2008, ora 03:09
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori