Escobar: “Balkani i Hapur” nuk do të funksionojë pa përfshirjen e gjashtë shteteve

“Nëse në iniciativën “Balkani i Hapur” (Open Ballkan) nuk përfshihen që të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, atëherë ajo nuk do të funksionojë”, deklaroi i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar të mërkurën më 24 nëntor.

Gjatë një adresimi online që kishte në konferencën për “Ballkanin e Hapur” që u mbajt në Kuvendin e Serbisë, Escobar tha se iniciativat rajonale duhet të jenë barabartë të hapura për të gjitha shtetet.

Iniciativa për bashkëpunim “Ballkani i Hapur” përfshin Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe parasheh lirinë e lëvizjes së mallrave, kapitalit, shërbimeve e njerëzve mes këtyre tre shteteve.

Kosova, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi nuk janë pjesë e “Ballkanit të Hapur”.

Escobar paralajmëroi që në mesin e sfidave të “Ballkanit të Hapur” mbesin kontrolli i kufijve pas hapjes së tyre, ulja e korrupsionit dhe ulja e kontrollit shtetëror në ekonomi.

“Krahas kësaj, është me rëndësi që këto tre shtete të cilat iniciuan ‘Ballkanin e Hapur’ të mbesin të hapura dhe të bisedojnë ngushtë edhe me tre partnerët e tjerë që mbesin skeptikë”, shtoi Escobar.

Siç theksoi ai, në iniciativën rajonale duhet të ekzistojë barazi për të gjithë qytetarët dhe projektet dhe nuk duhet të ketë diskriminim në bazë të përkatësisë etnike.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor shtoi se SHBA-ja është e gatshme që të ndihmojë iniciativat rajonale, nëse ato nuk i pengojnë integrimet evropiane.

“Jemi të gatshëm që t’u ndihmojmë në këtë rrugë, që të arrini standardet ndërkombëtare, që të bëhemi partnerë me Evropën, për t’u siguruar që ky rajon do të bëhet një prej ekonomive më të rëndësishme në Evropë”, tha Escobar.

Është koha që të lirohet potenciali ekonomik i shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe të fuqizohet e ardhmja e tyre evropiane, theksoi gjatë fjalimit të tij, Ambasadori Amerikan në Beograd, Anthony Godfrey.

“Përkrahim planin e Ballkanit të Hapur, gjithëpërfshirës, në mënyrë që të sigurojë qarkullim të lirë të mallrave, njerëzve, kapitalit e shërbimeve”, theksoi ai./Rel/