Liverpool vijon rezultatet pozitive në Premier League, por Klopp bëhet me dhimbje koke (VIDEO)

Liverpool ka mposhtur 2-1 Wolves duke vazhduar ecurinë e pamposhtur në Premier League. Një tjetër paraqitje solide e The Reds, që tani kanë shkuar në kuotën e 67 pikëve.

Liverpool e nisi shumë mirë sfidën duke mos lejuar Wolves të dalë në lojën e tij. Si gjithmonë, presing që në sulm, shumë pasime dhe lëvizjet pa top bënë që miqtë të jenë superiorë.

The Reds shpërblehen me një gol në minutën e 8’ të takimit me kapitenin Henderson që shënon me kokë nga goditja e këndit. Një tjetër asist për Alexander-Arnold.

Liverpool vazhdon të dominojë edhe pas golit, por pëson një goditje të rëndë kur Sadio Mane sinjalizon se nuk mund të vijojë më për shkak të një tërheqjeje muskulore.

Pas pushimit vendasit transformohen dhe luajnë me më tepër agresivitet, duke shfrytëzuar në maksimum shpejtësinë e Adama Traore.

Raul Jimenez ka barazuar gjithçka në minutën e 51’ dhe Wolves merr zemër duke bërë një lojë të madhe për rreth 20 minutat në vazhdim.

Liverpool rimerr frenat e lojës në dorë nga fundi dhe Roberto Firmino ka shënuar golin e avantazhit në minutën e 84’.


Shtuar 23.01.2020 22:02