Shqipëria e dyta pas Rusisë! Ky është numri i shqiptarëve që fituan Lotarinë Amerikane
Departamenti i Shtetit Amerikan ka publikuar së fundmi të dhënat mbi Lotarinë Amerikane. Pothuajse 84 mijë aplikantë janë përzgjedhur rastësisht nga sistemi, mes rreth 15 milionë regjistrimeve për programin “DV 2020”.

Në rajonin Europian, Rusia mban vendin e parë për numrin më të madh të aplikantëve të përzgjedhur, plot 5 118 persona. E menjëherë pas saj vjen Shqipëria me 3 603 aplikantë të përzgjedhur.

Më pak interes duket se kanë vendet tona fqinje për ëndrrën amerikane, pasi 260 shtetas janë zgjedhur nga Kosova, 249 nga Maqedonia dhe vetëm 35 nga Mali i Zi.Numër të lartë të përzgjedhurish ka dhe Ukraina me rreth 3 mijë dhe më tej Turqia me 2,709. Ndërsa Islanda dhe Luksenburgu asnjë të zgjedhur.

Ndërsa në shtetet e Afrikës kryesojnë Egjipti me 5, 568 aplikantë të përzgjedhur, pasuar nga Republika Demokratike e Kongos me 4,743 persona.

Megjithëse duhet theksuar se popullsia e këtyre vendeve nuk krahasohet me popullsinë e Shqipërisë. Vendi ynë ka vetëm 2 milionë e 860 mijë banorë, ndërsa Rusia numëron rreth 140 milionë shtetas, apo Egjipti 90 milionë persona.

Ndërkohë që mundësinë e aplikimit e kanë patur të gjithë banorët e 177 shteteve të botës brenda periudhës 34 ditore, e cila filloi në 3 tetor të 2018-ës dhe është mbyllur në 6 nëntor 2018.

Megjithatë, program i Lotarisë Amerikane bën të mundur dhënien e vetëm 55 mijë vizave çdo vit, që u siguron këtyre shtetasve qëndrim të përhershëm në SHBA.

Kush nuk vërteton zotërimin e diplomës së shkollës së mesme dhe minimalisht dy vite eksperiencë apo trajnim në një post të caktuar skualifikohet.

Shtuar më 29/07/2019, ora 17:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori