Shqipëria do të vazhdojë të ketë një rol aktiv në NATO
Ministri i Punëve të Jashtme, z. Aldo Bumçi, morri pjesë në punimet e takimit të Ministerialit të NATO-s, i cili u mbajt sot në Bruksel. Në këtë takim ku merrnin pjesë Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të aleancës, u diskutua mbi zhvillimet më të fundit në Siri, Afganistan, Korenë e Veriut, Afrikën Veriore, etj. Po ashtu në ministerial u mbajt një takim i veçantë i Këshillit NATO-Rusi, si dhe një sesion me vendet kontribuese në Afganistan.Në fjalën e tij, Ministri Bumçi nënvizoi se Shqipëria do të vazhdojë të ketë një rol aktiv brenda aleancës si dhe në operacionet e saj, përfshi Afganistanin.

Kontributi i deritanishëm është një tregues i rëndësishëm i angazhimit të vendit tonë në drejtim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit kudo në botë, përfshi edhe rajonin. Lidhur me zhvillimet në Afganistan dhe angazhimet mbas vitit 2014, Ministri Bumçi theksoi se Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë dhe do të mbetet e angazhuar. Në takimin e Këshillit NATO-Rusi, Ministrat shprehën shqetësimin e tyre për zhvillimet më të fundit në Siri dhe shprehën domosdoshmërinë për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë në të mirë të popullit sirian.

Gjatë këtij Ministeriali u diskutua edhe për dialogun mesdhetar. Ministrat theksuan se bashkëpunimi me këto vende është i rëndësishëm që ky rajon të jetë një rajon në paqe, i sigurt dhe me zhvillim të qëndrueshëm.

Duke përshëndetur marrëveshjen historike të arritur midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Ministri Bumçi falenderoi Baroneshën Ashton për rolin e saj të veçantë, në arritjen e kësaj marrëveshjeje si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e pazëvendësueshme. Ministri Bumçi tha se transformimi i rajonit nga vende në luftë në vende anëtare të NATO-s është një mrekulli që erdhi falë ndërhyrjes së NATO-s. Marrëveshja e arritur do të fuqizojë bashkëpunimin rajonal dhe hap një perspektivë të re të integrimit të Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër, marrëveshja tregon se rajoni është transformuar rrënjësisht, nga shkatërrimi prej luftrave dhe spastrimit etnik, sot këto vende janë anëtare të NATO-s e BE-së apo në rrugën e tyre drejt integrimit. Transformimi i Ballkanit Perëndimor tha z. Bumçi, është një histori suksesi e NATO-s dhe BE-së.
Shtuar më 24/04/2013, ora 12:27

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori