Shqipëri, tarifat dhe kuotat për të gjitha degët e universiteteve
Pëlqej
Albeu.com
Tarifat e shkollimit, 12 mijë deri në 80 mijë lekë. Për çdo degë, pesë studentët më të mirë nuk do të paguajnë. Nuk ndryshon tarifa për studentët e viteve të tjera.“I larmishëm” edhe propozimi për vlerën e tarifës shkollore, sipas degëve. Në propozimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës vihet re një luhatje në tarifat mes degëve, ashtu si edhe u deklarua pak kohë më parë nga kreu i Arsimit, Pollo. Në disa degë të Universitetit të Shkodrës apo Universitetit të Vlorës do të paguhet 12 mijë lekë të reja, kurse studentët e degës së regjisë së filmit do të jenë ata që do të paguajnë më shumë, plot 80 mijë lekë të reja. Bërë publike nga ministria, tarifat janë paraqitur të diferencuara sipas degëve, duke marrë parasysh edhe koston e studentëve, kërkesën e kandidatëve dhe formimin e tyre, i cili do të jetë i ndryshëm, në varësi të stafit akademik të degës që do të studiojë.
Një lajm i mirë për këtë vit është se pesë studentët më të mirë, të çdo dege, nuk do të paguajnë asnjë gjë për shkollimin e tyre. Ndërsa studentët e viteve të tjera do ta kenë të pandryshuar tarifën, 12 mijë lekë të reja. Sa për përsëritësit, në projektvendim thuhet se këta i nënshtrohen të njëjtës tarifë shkollimi me të cilën kanë filluar studimet.
Diferencimi
Fakultetet në të cilat do të paguhet tarifë më e lartë në Universitetin e Tiranës do të jenë ai i Drejtësisë dhe Fakulteti i Shkencave Sociale. Në degët e tyre do të paguhet një tarifë prej 30 mijë lekësh të reja. Edhe për degën e farmacisë dhe stomatologjisë, në Fakultetin e Mjekësisë do të paguhet e njëjta tarifë shkollimi. Tarifë më të ulët do të ketë mjekësia, dega tjetër e këtij fakulteti. Tarifa këtu do të jetë 25 mijë lekë të reja. Kjo tarifë është përcaktuar edhe për Fakultetin e Infermierisë dhe Fakultetin e Ekonomisë. Ndërsa për degët e Fakultetit Histori-Filologji, tarifa e shkollimit do të jetë 20 mijë lekë. Më e ulët, tarifa parashikohet për studentët që do të vazhdojnë degët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.
Politekniku dhe Bujqësori
Nga tarifa prej 30 mijë lekë e deri te tarifa prej 15 mijë lekësh, kemi edhe në Universitetin Politeknik të Tiranës. Dega e arkitekturës mbetet më e “shtrenjta”, prej 30 mijë lekësh. Me 25 mijë lekë është vlerësuar tarifa shkollore për degën e ndërtimit. Kurse për degën e inxhinierisë elektrike dhe inxhinierisë elektronike do të paguhet më pak, 20 mijë lekë të reja. Për të gjitha degët e tjera të këtij universiteti do të paguhet tarifa prej 15 mijë lekësh të reja. Kurse për Universitetin Bujqësor të Tiranës, Ministria e Arsimit dhe Shkencës propozon tarifa të ulëta, krahasuar me mesataren e tarifave të dy universiteteve të mësipërm. Për degët drejtim fermash dhe agrobiznes, ekonomi dhe politikë agrare, inxhinieri pyjesh, inxhinieri e përpunimit të drurit dhe veterinari përcaktohet 20 mijë lekë tarifa. 15 mijë lekë do të jetë tarifa e të gjitha degëve të tjera.
Akademitë dhe universitetet e tjera
Vlera më e lartë e tarifave shkollore, për vitin e ri akademik 2006-2007, do të jetë në Fakultetin e Artit Skenik. Studentët e degës së regjisë së filmit duhet të paguajnë tarifën prej 80 mijë lekësh të reja, e njëjta tarifë me vitin e kaluar akademik. Kurse për degët e tjera të Akademisë së Arteve, tarifa do të jetë 30 mijë lekë të reja. Për Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”, tarifa do të jetë e 20 mijë lekë të reja.
Kurse për studentët e universiteteve të Elbasanit, Gjirokastrës, Korçës, Shkodrës, Vlorës dhe Durrësit tarifa është më e ulët, krahasuar me universitetet që ndodhen në kryeqytet. Për Universitetin e Gjirokastrës dhe Korçës, në të gjitha degët tarifa do të jetë 12 mijë lekë të reja, universitete për të cilat nuk janë përcaktuar kuota. Për universiteti rishtar të Durrësit, në të gjitha degët, është përcaktuar tarifa prej 15 mijë lekësh të reja. Për Universitetin e Elbasanit tarifa më e lartë do të jetë 15 mijë lekë dhe ajo më e ulët 12 mijë lekë. Kurse në Universitetin e Shkodrës, dega e Drejtësisë ka të përcaktuar tarifën prej 16 mijë lekësh të reja. Sa u përket studentëve në degët e tjera të këtij universiteti do të paguajnë një tarifë më të ulët, 12 mijë lekë të reja. Dega e Drejtësisë mbetet më e “shtrenjta” edhe për Universitetin e Vlorës, me 20 mijë lekë të reja tarifën vjetore.

Propozimi i tarifave
Në Universitetin e Tiranës:
Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës 15 000 lekë
Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja 15 000 lekë
Në Fakultetin e Drejtësisë 30000 lekë
Në Fakultetin e Shkencave Sociale 30 000 lekë
Në Fakultetin e Mjekësisë:
Në degën e Mjekësisë 25 000 lekë
Ne degën e Farmacisë 30 000 lekë
Në degën e Stomatologjisë 30 000 lekë
Në Fakultetin e Infermierisë 25 000 lekë
Në Fakultetin e Histori-Filologjisë 20 000 lekë
Në Fakultetin e Ekonomisë 25 000 lekë.

Në Universitetin Politeknik:
Arkitekturë 30 000 lekë
Ndërtim 25 000 lekë
Elektrike 20 000 lekë
Elektronikë 20 000 lekë
Në degët e tjera 15 000 lekë

Në Akademinë e Arteve:
Regji filmi 80 000 lekë
Në degët e tjera 30 000 lekë

Në Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve "Vojo Kushi" 20 000 lekë.

Në Universitetin Bujqësor:
Drejtim Fermash dhe Agrobiznes 20000 lekë
Ekonomi dhe Politike Agrare 20 000 lekë
Inxhinieri Pyjesh 20 000 lekë;
Inxhinieri e Përpunimit të Drurit 20 000 lekë
Veterinari 20 000 lekë
Në degët e tjera 15 000 lekë.

Në Universitetin e Elbasanit:
Gjuhë-Letërsi 15 000 lekë
Gazetari 15 000 lekë
Punë Sociale 15 000 lekë
Psikologji 15 000 lekë
Në degët e tjera 12 000 lekë

Në Universitetin e Gjirokastrës
Në të gjitha degët 12000 lekë

Në Universitetin e Korçës:
Në të gjitha degët 12000 lekë

Në Universitetin e Shkodrës:
Drejtësi 16 000 lekë
Në të gjitha degët e tjera 12 000 lekë

Në Universitetin e Vlorës
Drejtësi 20 000 lekë
Gjuhë-Letërsi 15 000 lekë
Pedagogji e specializuar 15 000 lekë
Në të gjitha degët e tjera 12 000 lekë

Në Universitetin e Durrësit:
Në të gjitha degët 15 000 lekë
nga Valmora Gogo, Shekulli
Shtuar më 05/04/2006, ora 09:37
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori