Shqipëri: Matura shtetërore, lëndët me zgjedhje sipas shkollave
Albeu.com
Aplikimet në universitete nisin nga 1 mars - 30 prill. Në maj, shpërndarja e vendeve sipas kërkesave e kapaciteteve. Bashkë me 2 provimet e detyruara, të interesuarit për universitet duhet të zgjedhin 2 provime në lëndët me zgjedhje.Bashkë me lëndët e detyruara që do të japin në provimet e maturës, të interesuarit për shkollën e lartë duhet të bëjnë kujdes në lëndët me zgjedhje. Nota e të cilave së bashku me atë të lëndëve të detyruara në fund të vitit të katërt do të përbëjnë 80% të pikëve për pranimin në universitet. Projektvendimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për maturën shtetërore ka përcaktuar në varësi të shkollave grupin e lëndëve me zgjedhje. “Matematika dhe letërsia janë lëndët e detyruara për gjimnazistët, ndërsa 8 të tjera (prej të cilave dy të detyruara për t’u zgjedhur) që nga gjuha e huaj, historia, gjeografia e deri te biologjia janë lëndët me zgjedhje për këtë sistem”, - thuhet në projektvendim. Nxënësit e shkollave të mesme tekniko-profesionale 5-vjeçare, që duan të ndjekin universitetin, krahas provimeve të detyruara të matematikës, teorisë profesionale dhe praktikës profesionale do të japin edhe dy provimet nga 9 lëndët e përcaktuara me zgjedhje.
“Në shkollat social-kulturore provimet e detyruara janë letërsia dhe teori profesionale ose gjuha e huaj për shkollat e gjuhëve të huaja”, - thuhet në projektvendim.
Lëndët me zgjedhje
Grupi i lëndëve të shkollës së mesme që propozohen si të mundshme për të qenë të zgjedhura, ndahen në dy: njëri me orientim natyror e teknik dhe tjetri me orientim shoqëror. “Nxënësi në kuadrin e maturës shtetërore duhet të zgjedhë të dy lëndët me zgjedhje në njërin nga grupet. Shkolla e lartë bën të qartë preferencën e saj për njërin apo tjetrin grup për secilën degë të saj”, - saktësohet në projektvendim, ku shtohet se preferenca bëhet para nisjen së aplikimeve. Ndërkaq, provimet e maturës, në qershor, do të zhvillohen vetëm me shkrim. Ato, sipas projektvendimit që pret miratimin e Këshillit të Ministrave, do të drejtohen, organizohen dhe realizohen nga Komiteti i Maturës shtetërore në mënyrë të centralizuar. Do të jetë kësisoj ajo që ministri Pollo e cilësoi vlerësim të jashtëm, duke eliminuar diferencat e vlerësimeve që burojnë nga vlerësimi i brendshëm, pra vetë mësuesit.
Pse 20 me 80
Përshkallëzimi i pikëve 20 për mesataren dhe 80 për provimet e maturës shtetërore, sipas projektvendimit, bazohet në faktin që nxënësit nuk janë lajmëruar për këtë ndryshim të kritereve të pranimit në universitete në kohën e duhur. “Duke pasur parasysh faktin që maturantët do të njoftohen 4 muaj pas fillimit të vitit shkollor, u mendua që rezultateve të privimeve të maturës t’u jepej 80% e pikëve dhe vetëm 20% për rezultatet e katër viteve, në mënyrë që të kenë mundësi të punojnë deri në përfundim të vitit shkollor”, - thuhet në të.

Vlerësimi
Certifikatë në fund të maturës
Me përfundimin e provimeve të pjekurisë Komiteti i Maturës Shtetërore i jep çdo kandidati një certifikatë me pikët e fituara në 4 provimet e dhëna si dhe ekuivalentim të shprehur në notë. Këto rezultate sipas certifikatës së dhënë, pasqyrohen në diplomën e pjekurisë lëshuar nga drejtoria e shkollës. Në këtë diplomë shënohet edhe nota mesatare e viteve të shkollimit në arsimin e mesëm te rubrika “shënime për nxënësin”. Për ata që kanë bërë shkollat e mesme jashtë shtetit me sistemin 3-vjeçar (6+3+3) nota mesatare llogaritet mbi bazën e tre viteve të fundit (10-12) në masën 50% të pikëve dhe 50% të pikëve për provimet e pjekurisë. Në ato raste kur jepet nota mesatare e përgjithshme (p.sh Greqia) kësaj note i jepen 100% të pikëve. Rastet e veçanta trajtohen nga një komision i ngritur nga shkollat e larta, që bëjnë konvertimin e notave nga sisteme të ndryshme në atë shqiptar.

Pranimet
Pranimet në shkollat e larta do të jenë në bazë të kërkesave dhe kapaciteteve të vetë fakulteteve. Kur kërkesa në një degë është më e vogël se oferta që bën plani orientues i pranimeve në një degë, shkolla e lartë ose i pranon të gjithë kandidatët, ose bën seleksionim mbi cilësinë e tyre, sipas rastit, duke vendosur kritere shtesë që lidhen me natyrën e degës. “Nëse numri i kandidatëve është më pak se 10% e planit orientues ata pranohen të gjithë. Nëse kërkesat janë më shumë se 10% e planit, atëherë shkolla e lartë zbaton kritere të tjera shtesë për të garantuar rritjen e planit deri në 10% të tij dhe që lidhen me llojin e shkollës së mesme të mbaruar apo cilësinë e kandidatëve”, - thuhet në projektvendim për të cilin do të thonë fjalën e tyre edhe fakultetet.

Bashkë me kërkesën, vërtetim nga shkolla dhe listën semestrale të notave

Aplikimet në universitete, 1 mars-30 prill

Maturantët duhet të drejtohen në fakultete me kërkesën për degën e preferuar në datën 1 mars. Sipas projektvendimit, kjo fazë shënon mbylljen në fund të prillit. Datë pas së cilës nuk do të pranohet më asnjë aplikim. “Aplikimi është individual dhe bëhet pranë universitetet ku do të studiojë i interesuari. Formulari i aplikimit është standard dhe jepet nga universitetet. Në momentin e aplikimit dorëzohet një dokument nga shkolla që vërteton se kandidati është nxënës në vitin e katërt të shkollës së mesme, ku bashkëngjiten rezultatet e semestrit të parë të vitit të katërt”, - saktësohet në rregulloren për maturën shtetërore. Sipas saj, në fund të prillit, numri i aplikimeve për çdo degë dhe universitet i bëhen të ditura Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, e cila, mbi bazën e kërkesave dhe vlerësimit të situatës së pranimeve në vitet e mëparshme, në marrëveshje me shkollën e lartë planifikon shpërndarjen e vendeve, duke kombinuar kërkesat e kandidatëve, kapacitetet e shkollës së lartë, politikat e zhvillimit dhe nevojat e tregut të punës. “E gjithë kjo përfundon në maj dhe rezultati bëhet i ditur në fillim të qershorit. Gjatë qershorit shkolla e lartë përgatitet për seleksionim”, - thuhet më tej, duke nënvizuar se vlerësimi i nxënësve për regjistrim në universitete është kompetencë e universiteteve që përcaktojnë elementët e vlerësimit, duke respektuar lirinë akademike të tyre. Faza pasardhëse është ajo e procedurave të seleksionimit që bëhen gjatë muajit korrik, ndërsa regjistrimi i fituesve si studentë bëhet në shtator.

Për shkollat e mesme të përgjithshme
Të detyruara
Matematika dhe letërsia
Me zgjedhje, 8 provime, nga të cilat 2 të detyruara për t’u zgjedhur
Gjuha e huaj
Histori
Gjeografi
Njohuri për shoqërinë
Njohuri për ekonominë dhe filozofi
Fizikë
Kimi
Biologji

Për shkollat e mesme tekniko-profesionale 5-vjeçare
Të detyruara
Matematika
Teori profesionale
Praktika profesionale (s’merret parasysh për pranimet në shkollat e larta)
Me zgjedhje
Gjuha e huaj
Histori
Gjeografi
Njohuri për shoqërinë
Njohuri për ekonominë dhe filozofi
Fizikë
Kimi
Biologji
Letërsi

Për shkollat social-kulturore 4 dhe 5-vjeçare
Të detyruara
Letërsia
Teori profesionale/ gjuhë e huaj për shkollat e gj. huaja
Me zgjedhje
Gjuha e huaj
Histori
Gjeografi
Njohuri për shoqërinë
Njohuri për ekonominë dhe filozofi
Fizikë
Kimi
Biologji
Matematikë
nga Bruna Prifti, Shekulli
Shtuar më 18/01/2006, ora 17:41
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori