Shqipëri- Greqi, grup pune për cështjet pronësore
Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi shprehet se po punohet me diplomacinë me zgjidhjen juridike dhe ngritjen e ndjeshmërisë kombëtare për çështjen çame. Në një intervistë për GSH, Idrizi kërkon përparimin e diskutimeve për këtë ceshtje në të kundërtPDIU dhe komuniteti çam do të radikalizojnë qëndrimet e tyre.

“PDIU-ja po i jep kohën e nevojshme qeverisë, nisur nga disa qëndrime e deklarata pozitive, por ne po e monitorojmë situatën me shumë kujdes, po punojmë me diplomacinë, me zgjidhjen juridike dhe ngritjen e ndjeshmërisë kombëtare për çështjen çame. Në qoftë se ne nuk do shohim ndonjë përparim të dukshëm, si për shembull ngritjen e grupeve të punës midis Shqipërisë dhe Greqisë për çështjet pronësore, e parashikuar në Traktatin e Miqësisë, e thënë dhe e stërthënë për 16 vjet me radhë dhe e pabërë akoma, atëherë ne do të radikalizojmë qëndrimet tona”, deklaron Idrizi.

Ai përmend disa dokumente bazë që e mbështesin zgjidhjen e kësaj çështjeje, përpjekjet e PDIU-së dhe lobimin në kancelaritë perëndimore, si dhe garancitë e marra nga qeveria.


“Tashmë, me gjithë vonesat apo ulje- ngritjet që kanë shoqëruar këta 23 vjet çështjen çame, janë disa dokumente bazë që e mbështesin atë. Konkretisht, kemi ligjin e parlamentit shqiptar të vitit 1994 që e njeh gjenocidin grek ndaj popullsisë së pafajshme çame, kemi Traktatin e Miqësisë, kemi miratimin e Rezolutës Çame, që obligon shtetin shqiptar në zgjidhjen e kësaj çështjeje. Çështjen çame, tashmë kjo qeveri e ka bërë pjesë të programit të saj dhe dosjes diplomatike të Ministrisë së Jashtme. Ka një dakordësi dhe angazhim të politikës shqiptare, të Presidentit të Republikës, të Kryeministrit, ministrit të Jashtëm, kryetarit të opozitës, që flasin me një zë”, shprehet Idrizi./albeu.com/
Shtuar më 25/03/2014, ora 13:51

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori