Shqipëri-Greqi, bisedime për kufijtë
Pëlqej
Pas rreth dy javësh, diplomacia shqiptare përmes një delegacioni që do të kryesohet nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, Gazmend Turdiu, do të negociojë me palën greke marrëveshjen për delimitimin e ujërave, si dhe një pjesë çështjesh të tjera që lidhen me problematikën kufitare mes dy vendeve.

Diplomatë me njohje të vjetër të relacioneve shqiptaro-greke dhe sidomos ekspertë të çështjeve të kufirit, shprehen se kësaj here ky negocimi është tejet i vështirë.

Kjo bëhet edhe më e vështirë, prej kontekstit të deritanishëm të pohimeve dhe bujës mediatike, pas rrëzimit prej Gjykatës Kushtetuese të marrëveshjes së arritur rreth një vit më parë mes dy palëve, marrëveshje e cila u ankimua dhe shkaktoi një reagim të jashtëzakonshëm publik.

Ndërkohë që juristët shqiptarë të së drejtës ndërkombëtare, shprehen se kjo marrëveshje nuk mund të diskutohet, pasi është shpallur nul nga Gjykata Kushtetuese.

Burime nga Ministria e Jashtme bëjnë të ditur se përgatitjet për këtë ballafaqim me palën greke kanë nisur. Javën e shkuar, krerët e lartë të Ministrisë së Jashtme janë interesuar për përfaqësimin e delegacionit të Shqipërisë në takimin e pritshëm me homologët e palës fqinje.
Shtuar më 12/11/2010, ora 11:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori