Shqipëria, sa e bukur dhe sa e madhe...në "Top Fest"
Albeu.com
Ndodh vetëm për "Top Fest", që autobusë me të rinj e fansa këngëtarësh nga vende fqinje si Maqedonia, të udhëtojnë drejt Tiranës, për të ndjekur live, eventin më të madh të muzikës moderne shqiptare, një nga produksionet më spektakolare të "Top Medias".Nata e mbrëmshme e ka përligjur tërësisht atë interesim të jashtëzakonshëm që nuk ka nevojë për publicitet; mjaft të quhet "Top Fest". Edicioni i katërt vetëm sa e ka konfirmuar performancën e jashtëzakonshme të këtij eventi, duke evoluar dhe më shumë në anën spektakolare me elementë që nisin që nga prezantimi; këtë vit përveç Arbana Osmanit, portreti i së cilës është plazmuar pazgjidhshëm me "Top Fest", ishte si i riu skenik plot sharm, Ledioni. Ndërsa ne backstage, ishin dy bukuroshet drithërimëpërçuese, Stela dhe Albana. Ajo që është thënë dhe edicionet e tjera, skena dhe performanca madhështore, ishin tregues të fuqishëm dhe mbrëmë për spektatorin në sallë dhe atë që e ndoqi nga ekrani i televizorit. Ndriçimi dhe fonia gjithashtu, ishin elementet goditëse të natës finale, duke formuar një ansambël elementesh, që çdo kënge dhe interpretimi, i jepnin një dozë madhështie. Të gjitha këto, bëjnë që pas katër edicionesh, "Top Fest", të jetë spektakli më madhështor që bartin skenat shqiptare, duke përfshirë dimensionin e një festivali kënge. Dhe kjo nuk ishte fort e lehtë, po të mendohet se "Top Fest", startoi si risi, ndërkohë që festivale të tjera kënge përfshirë dhe atë tradicionalin e RTSH-së, e kishin krijuar një farë audience. Por në katër edicione, rezultoi që gama e gjerë e këngëtarëve dhe artistëve, sidomos të rinj, të përfshiheshin nga ethet e pjesëmarrjes në "Top Fest". Fillimisht, vetëm pjesëmarrjes. Më pas dhe pretendimit për të fituar një çmim. "Top Fest 4", u shtri në 3 muaj event në një nga sallat e spektakleve të "Top Medias", ku qindra këngëtarë dhe grupe u prezantuan para publikut, duke u vlerësuar nga audienca për këngët e tyre. Këto tre muaj, ishin tërësisht të përfshira nga ethe të protagonizimit artistik, të reflektuara më pas dhe në një arterie tjetër të eventit, si ishte emisioni "Top Selekt". Aty u shfaqën emrat më të njohur të këngës vitet e fundit. Për herë të parë, interpretuan dhe fitues të ish "Etheve", një spektakël me mision të përfunduar tashmë. Dhe të gjithë shprehën një impresion; atë që te "Top Fest", gjetën skenën dhe hapësirën e duhur për t‘u afirmuar si artistë. Prej këtij eventi, emra anonimë u bënë të famshëm brenda një nate, ndërsa disa të tjerë, u "diplomuan" në shkollën e këngës moderne. Me këtë përcaktor u profilizua që në fillim eventi në fjalë; të promovonte muzikën moderne shqiptare, shpërthimet e së cilës, përfshinin shumë rryma. Të disiplinuara dhe me një konkurrencë serioze që testohet në shijet e publikut, ato gjetën hapësirën të shpërfaqeshin në mënyrën më spektakolare nga lëvruesit e tyre. Nga "Top Fest", nuk lindën vetëm emrat, por dhe motivet; lind dhe një teknologji vizive që nuk paraqet asnjë shenjë diference me spektaklet e njohura sot në botë. Mbrëmë, deri në mesnatë, salla e Pallatit të Kongreseve, ishte përçuese e një tradite që u krijua ndoshta që në edicionin e parë, nëpërmjet një suksesi absolut dhe një tërheqjeje manjetike që erdhi duke u shtuar nga viti në vit. Ashtu si edicionet e kaluara, nata e mbrëmshme, i paralajmëroi elementët e një show të madh që jashtë salle. Turma njerëzish që u mblodhën rreth e rrotull Pallatit të Kongreseve disa orë para se të niste nata finale e "Top Fest", si dhe një lloj rrëmuje e pranueshme në hyrjen kryesore të Pallatit të Kongreseve, ku dalloheshin dhe të paduruarit për t‘u futur në sallë, ishin treguesi i një feste të jashtëzakonshme. Më pas, ajo që ndodhi për disa orë në skenë e në sallë bashkë, ishte jashtë çdo parashikimi. Jo vetëm dinamika e pakrahasueshme e spektaklit, por ndërthurja e imtësishme e çdo elementi, duke dhuruar show në çdo moment, ishin në nivelet më të larta të një organizimi të këtij zhanri. Interpretimet, u shoqëruan me ovacione të pandërprera nga një spektator që nuk kishte nevojë për karrige. Gjithçka që ndodhi ishte e shkëputur nga toka. Ndarja e çmimeve të shumta, ishte pjesa më emocionuese e spektaklit, ku u luajt me loçkat e zemrës së këngëtarëve vetë dhe të fansave të tyre. Ata që për tre muaj me radhë, ndërtuan botën e tyre të ëndrrave, mbrëmë, panë që ato dhe mund të bëhen realitet...në "Top Fest". Ky event është shndërruar dhe në krijimin e një Shqipërie të madhe të këngës dhe spektaklit, pasi aty skena rezervon një vend për të gjithë, mjaft që të këndohet shqip. Për gjithë atë që ndodhi mbrëmë, si një qeshje e bukur e një Shqipërie të lodhur, kanë një meritë emrat e stafit realizuar, të cilët, derdhin fantazinë dhe profesionalizimin në një spektakël si ai, drejtori i festivalit, Adrian Proko, regjisori Bojken Lako, skenografi Fatmir Minga, e të tjerë emra, përfshirë dhe drejtuesit, që më shumë se mjeshtër në rolet përkatëse, janë misionare të një ere të re, të paktën në evropianizimin e këngës dhe Shqipërisë së artit, në skena dhe spektakle si ai i një nate më parë... G. Shqip
Shtuar më 28/05/2007, ora 17:30
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori