Shqipëria, me 1302.5 tonë municione më pak
Albeu.com
Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa verifikoi nga afër pastrimin e bazës ushtarake në Shkozet të Durrësit nga 59 kontenierët me municione të rrezikshme.Gjatë inspektimit që u zhvillua të mërkurën paradite në këtë zonë, ministri Oketa dha garanci se tashmë ajo që ishte një shqetësim dhe rrezik për banorët, i ngritur disa herë nga media, është eliminuar.

“Në më pak se dy muaj u bë e mundur eliminimi i një shqetësimi të ngritur edhe nga media në lidhje me 59 kontenieretë që mbanin afërsisht 1300 tonë municione”, tha ministri shqiptar i Mbrojtjes.

Ai theksoi se ajo që është më e rëndësishmja është se, “kjo sasi municioni jo vetëm që është larguar nga depot në Shkozet, por është asgjësuar dhe pjesa e rrezikshme, djegoret dhe baruti. Pjesa tjetër e magazinuar mund të konsiderohet pjesë e parrezikshme e një shpërthimi”

Ministri i Mbrotjes falënderoi ushtarët dhe civilët, si dhe pushtetin lokal që ndihmuan që kjo pjesë e materialit ushtarak të asgjësohet.

Oketa u shpreh se ky ishte hapi i parë i një plan veprimi që ka hartuar kjo ministri në lidhje me asgjësimin e municioneve të vjetra, ndërkohë që hapa të tjerë do të ketë në vazhdim.

Pak ditë më parë është bërë asgjësimi i 2.5 tonë barut të zi në Mjekës. Nga data 1 shtator do të fillojnë të veprojnë disa grupe të ngritura qëllimisht për të zbatuar planin.

Ministri Oketa mbylli prononcimin e tij për mediat me premtimin se shumë shpejt rreziku i shpërthimeve do të ulet dhe do të rritet shkalla e sigurisë. “Jam i sigurt se shumë shpejt do ju bëj me dije se rreziku është eliminuar. Se shkalla e rrezikut nga drita e kuqe do kalojë në jeshile, në një nivel më të ulët, pra do rritet më shumë siguria”.
Shtuar më 20/08/2008, ora 23:03
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori