Shqipëri: "Rektorë dhe dekanë, ju nuk jeni të përjetshëm në
Albeu.com
Një përgjigje për rektorin Përparim Hoxha dhe dekanët Dhori Kule e Nonda Varfi. Pas botimit në gazetën "Shqip" të shkrimit me titull "Projektligji i arsimit të lartë, universitetet publike kundër qeverisë", reagon Ministria e Arsimit: "Rektorë dhe dekanë, ju nuk jeni të përjetshëm në postet drejtuese" Vërejmë se në gazetën tuaj deklarimet e disa drejtuesve universitarë janë përqendruar vetëm në disa çështje të ligjit, që lidhet ndoshta kryesisht me interesat individuale.

Padyshim që edhe ky interesim është i kuptueshëm, madje i ligjshëm, por unë shpresoj shumë që fokusi i universitarëve që do të përfshihen në debatin publik, të përfshijë të tëra çështjet me rëndësi, të gjithë tematikën thelbësore të reformës dhe të ecurisë në arsimin e lartë që kuadron ky projektligj.

Të tilla janë sigurimi i cilësisë, akreditimi i universiteteve, evoluimi i diplomave, por edhe autonomia e madhe që marrin universitetet në financat publike dhe përgjegjësia përkatëse. Këto tema meritojnë gjithashtu debat.

Synimi ynë është që universitetet t‘i bëjmë të hapura dhe transparente ndaj shoqërisë

Nuk më duket i argumentuar kundërshtimi për Këshillin Administrativ dhe kompetencat e tij të përbashkëta me senatin akademik të universitetit. Kjo temë është diskutuar gjerësisht me përfaqësuesit universitarë dhe me palë të interesuara. Ideja për një këshill të tillë ka gjetur përkrahje shumë të gjerë. Synimi ynë është që universitetet t‘i bëjmë të hapura dhe transparente ndaj shoqërisë. Në fund të fundit, arsyeja e ekzistencës së tyre është që t‘i japin një shërbim të caktuar shoqërisë, prandaj mbështeten me ligje e financa nga shteti. Nëse do të rrinë të mbyllura, ato nuk do ta realizojnë këtë shërbim. Kështu përfiton një grup i vogël njerëzish. Ndërsa Këshilli i Administrimit përfshin palë të tjera në diskutim dhe vendimmarrje të kufizuar për të ardhmen e shkollës së lartë.

Vërejtja se ministri ka më shumë kompetenca në krahasim me ligjin e vjetër, është pa taban

Në këtë ligj, nëse ministri donte të shkarkonte një rektor, ai i shpallte zgjedhjet e parakohshme me urdhër të tij. Ndërkohë që aktualisht, që të mbahen zgjedhje të parakohshme, kur një rektor ka shkelur rëndë ligjin, duhet edhe kundërfirma e Presidentit të Republikës, gjë që flet për një "check and balance" më të fortë në zbatimin e pushtetit. Por këtu duhet sqaruar diçka në parim. Në asnjë vend demokratik titullari ekzekutiv i një institucioni publik nuk mund të jetë as i përjetshëm dhe as i pashkarkueshëm. Kjo vlen për kryetarin e shtetit e të qeverisë, ministrin, kryetarin e bashkisë/komunës e kështu me radhë. Por në një demokraci është e rëndësishme që të jenë të përcaktuara qartë kushtet, kriteret dhe procedurat vendimmarrëse për çdo rast. Këtë gjë ligji e realizon edhe për titullarët në arsimin e lartë; është një gjë normale që duhet të ndodhë, është kudo në botë, edhe në Shqipëri. Sepse rast abuzimi nuk ka vetëm te ministrat, qeveritarët apo kryetarët e bashkive, por për fat të keq edhe në fusha të tjera, përfshi edhe arsimin. Që pushteti politik të mos përdoret arbitrarisht, janë të rëndësishme mekanizmat që garantojnë të kundërtën. Prandaj ligji parashikon shkeljet e ndryshme dhe disa hallka vendimmarrëse që kontrollojnë njëra-tjetrën. Në fund, ua lë në dorë zgjedhësve, pra pedagogëve dhe studentëve, për të përcaktuar titullarin, domethënë rektorin apo dekanin.

Nga komentet e para, të krijohet përshtypja se disa profesorë të nderuar nuk e kanë lexuar ligjin deri në fund

Ministria e Arsimit dhe Shkencës është përgjegjëse për cilësinë akademike të universiteteve dhe si e tillë ajo merr përgjegjësinë për licencimin e Ciklit të Dytë dhe të Tretë përkatësisht të Master-it dhe Doktoraturë-s. Por nëse hapja e këtyre cikleve kërkon një shtesë nga buxheti i shtetit, kuptohet që në këtë vendim duhet të përfshihet Ministria e Financave dhe Këshilli i Ministrave. Kjo nuk ka të bëjë me dallimin shkollë private dhe shkollë publike, sepse në kuadrin e autonomisë financiare që ky ligj iu ofron shkollave publike, pa rritur shpenzimin e buxhetit të shtetit, do të propozojnë hapjen e cikleve të reja, atëherë kjo është një kompetencë e MASH, e cila vendos nëse është respektuar standardi akademik apo jo. Dhe kuptohet që i njëjti kut vlen edhe për shkollat private, të cilat nuk parashikohen të financohen nga paraja publike. Pra ka thjesht një keqkuptim në leximin e ligjit, i cili me sqarimet përkatëse besoj se do jetë i qartë për stafin e interesuar akademik. Gjithashtu, duke gjykuar nga komentet e para, të krijohet përshtypja që disa profesorë të nderuar nuk e kanë lexuar ligjin deri në fund, apo me vëmendjen e duhur, dhe kjo kuptohet nga komentet e tyre. Por kjo është normale, sepse jemi në fillim të debatit dhe varianti përfundimtar ka vetëm një javë që është bërë publik.
Gazeta Shqip
Shtuar më 31/03/2007, ora 11:20
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori