Shqipëri-Kosovë, bizneset kërkojnë reduktimin e tarifave
Albeu.com
Bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës nuk duhet të qëndrojë thjesht mbi disa marrëveshje bilaterale dhe takime kortezie mes zyrtarëve të të dyja vendeve, por mbi veprime konkrete. Si askush tjetër, vetëm sektori i biznesit i njeh mirë problemet që hasin dy vendet, si në aspektin ligjor të shkëmbimit tregtar, ashtu dhe në ekzistencën e burokracive në kalimin e lirë mes kufijve përkatës. Në korrikun e këtij viti, qeveria miratoi heqjen e taksës së kalimit të kufirit, duke lehtësuar disi transportin e njerëzve nëpër vende të ndryshme të botës, por për biznesin kjo masë nuk mjafton. Sektori industrialist shikon përtej kësaj takse të hequr, duke propozuar marrjen e disa masave që reduktojnë ndjeshëm koston e transportit drejt atyre vendeve ku biznesi ka interes. Konfindustria, duke vlerësuar si një lëvizje me rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik të hapësirave shqiptare krijimin sa më shpejt të "tregut shqiptar 7 milionësh" dhe duke vlerësuar se lehtësimi i lëvizjes së njerëzve është domosdoshmëri për arritjen e qëllimit të mësipërm, bazuar në studimin e plotë të analizave të tregut të fluturimeve të kryera nga industritë përkatëse shqiptare, ka përgatitur planin e masave të nevojshme për të ulur çmimin e biletës së fluturimit vajtje-ardhje Tiranë-Prishtinë, me një çmim nën 100 euro. "Arritja e një çmimi të tillë do të bënte të mundur, që një shtresë mjaft e madhe shqiptarësh të lehtësoheshin duke shtuar shumë shfrytëzimin e fluturimeve ajrore dhe duke përfituar drejtpërdrejt financiarisht dhe kohë", deklaroi dje administratori i Përgjithshëm i Konfindustrias, Gjergj Buxhuku.

Masat

Aktualisht, organizmi në mbrojtje të bizneseve industrialiste është duke përgatitur dhe do të paraqesë shpejt pranë institucioneve ekzekutive përkatëse të Shqipërisë dhe Kosovës një plan të përgjithshëm të masave të prekshme në shumë fusha të rëndësishme të ekonomisë, arsimit, punës etj. Sipas Buxhukut, këto masa duhen marrë në bashkërendim për të bërë të mundur krijimin dhe funksionimin sa më shpejt të "Tregut të Hapur Shqiptar 7 milionësh" si një lëvizje e domosdoshme për mirëqenien e shqiptarëve dhe integrimin e suksesshëm në BE. (Shqip)
Shtuar më 07/10/2008, ora 14:20
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori