Shqipëri, klani i Kosovës në krye të diplomacisë
Albeu.com
Basha ministër i Jashtëm, i bashkohet Harxhit. Rikthehet Olldashi në qeveri. Kryeministri Berisha ka plotësuar me urgjencë vendin e lënë bosh në qeverinë e tij nga Besnik Mustafaj. Pa u mbushur 24 orë nga largimi i Mustafajt nga detyra e ministrit të Jashtëm, Berisha i ka paraqitur Presidentit Alfred Moisiu propozimet për ndryshimet në kabinetin qeveritar.Bazuar në nenin 98, pika 1, të Kushtetutës, kreu i qeverisë i ka paraqitur kreut të shtetit shkarkimin e Besnik Mustafajt nga drejtimi i Ministrisë së Jashtme pas dorëheqjes së tij pasditen e djeshme. Në postin më të rëndësishëm në radhët e ministrave siç është ai i shefit të diplomacisë, kreu i ekzekutivit ka emëruar Lulzim Bashën. Ndërsa për drejtimin e Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, kreu i qeverisë emëron ish-ministrin e Brendshëm, Sokol Olldashin. Nga Presidenca mësohet se propozimet e Berishës për ndryshimin e kabinetit të tij janë protokolluar pasditen e djeshme në Presidencë. Basha, që cilësohet nga deputetët e djathtë si i përkëdheluri i "doktorit" dhe Olldashi, si një i rikthyer i Berishës për të vazhduar "luftën" ministri dhe pushtet lokal mes tij dhe Ramës, presin vetëm dekretimin e kreut të shtetit. Kryeministri nuk ka humbur kohë për të bërë ndryshimet e dyta brenda një muaji në kabinetin që drejton. Goditjen e rëndë në kabinetin e tij ku brenda një muaji janë bërë ndryshime të shpeshta në qeveri, Kryeministri ka vendosur ta rikuperojë brenda një dite. Pasi ka thirrur në zyrën e tij, Lulzim Bashën dhe Sokol Olldashin, kreu i qeverisë ka përgatitur zëvendësimet për t‘i kaluar në Presidencë më pas. Ndërkohë që Basha do të merret me diplomacinë, Sokol Olldashi do të mund të vazhdojë "hakmarrjen" e tij ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës. Rikthimi i Olldashit në kabinetin qeveritar është surpriza më e madhe në lidhje me lëvizjet e fundit brenda mazhorancës. Rezultati i 18 shkurtit nuk e dekurajoi aspak ish-ministrin e Brendshëm, i cili përveç ministrisë humbi edhe mandatin e deputetit. Pas humbjes përballë Ramës në garën për bashkinë e kryeqytetit, Olldashi nën funksionin e kryetarit të degës së PD Tiranë, ishte akomoduar në zyrën e tij në selinë blu. Sërish do të vazhdojë të jetë ballë për ballë Edi Ramës. Përballje që e ka nisur si kryetar i Komisionit parlamentar Hetimor anti-Rama, pastaj rivali i tij në garën për bashkinë më të madhe të vendit dhe tashmë për shkak të portofolit të tij ministror do të jetë sërish në "luftë" me Edi Ramën. Në lidhje me kalimin e Olldashit nën drejtimin e Ministrisë së Transporteve, sekretari i Përgjithshëm i PBDNJ, Leonad Solis, shprehu shqetësimin për konfliktin që do të nisë mes ministrisë dhe pushtetit lokal, i cili do të dëmtojë biznesin. Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, ishin të pranishëm të gjithë ministrat e kabinetit, ndërkohë që karrigia e ministrit të Jashtëm përfaqësohej nga zv/ministrja, Edit Harxhi. Kryeministri, përveç një deklarate zyrtare në faqen e Kryeministrisë, disa minuta pas konferencës së Mustafajt nuk ka preferuar të japë një tjetër koment në lidhje me largimin e tij nga Ministria e Jashtme. Duke bërë një retrospektivë të deklaratave të Kryeministrit para zgjedhjeve lokale, Berisha i cilësoi Olldashin dhe Mustafajn si ministrat më të suksesshëm të kabinetit të tij. Me dorëheqjen e Mustafajt nga posti i ministrit të Jashtëm, Berishës i mungonin dy ish-ministrat më të suksesshëm të 2006-ës në kabinetin e tij, duke vendosur të rikthejë sërish pranë vetes, Sokol Olldashin, këtë herë në drejtimin e Punëve publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.


Prapaskenat

Olldashi dhe Basha, një nga një, pranojnë propozimet e shefit të tyre


Berisha zgjidh brenda 24 orëve tronditjen që pushtoi kabinetin e tij qeveritar pas dorëheqjes së ministrit më të rëndësishëm të qeverisë që drejton. Duke u përpjekur të kapërcejë shpejt krizën në qeveri dhe duke u munduar të evitojë deklaratat e aleatëve të tij, të cilët kanë filluar tashmë nga kërkesat e tyre për vendin e lënë bosh, Berisha mbledh në mënyrë urgjente Lulzim Bashën dhe Sokol Olldashin për t‘u komunikuar postet e reja qeveritare. Kreu i qeverisë ka përcaktuar emrat e ministrave të rinj duke zhvilluar më parë edhe takime me ta. Burime pranë Kryeministrisë tregojnë se pak çaste pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave dje në mesditë, Kryeministri ka takuar Lulzim Bashën për t‘i rekomanduar karrigen e shefit të diplomacisë shqiptare. Po pas mbledhjes së qeverisë, Berisha ka pritur në zyrën e tij edhe rivalin e Edi Ramës në garën për Bashkinë e Tiranës dhe një nga ish-ministrat e tij të cilësuar si më i suksesshmi i kabinetit qeveritar, Sokol Olldashin. Rikthimi i Olldashit në qeveri bëhet për të zëvendësuar Lulzim Bashën, i cili kalon në postin e ministrit të Jashtëm. Paraditen e djeshme në radhët e Partisë Demokratike qarkullonte ideja se Kryeministri do ta zëvendësojë postin e Mustafajt me një nga ministrat e kabinetit të tij, për të mënjanuar dekretimin e ministrit të ri të Jashtëm pranë Presidentit Moisiu. Pak momente pas dorëheqjes së ministrit Mustafaj, pasditen e së martës, emri më i përfolur për shefin e ardhshëm të diplomacisë shqiptare ishte ai i Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Duket se për të mënjanuar çdo përballje me Presidentin Moisiu për dekretimin e ministrave të rinj, Berisha ka vendosur t‘i bëjë zëvendësimet duke zgjedhur emrin më të përshtatshëm nga brenda kabinetit të tij. Ashtu si Basha edhe Olldashi nuk kanë qenë të përfshirë në akuzat e lëshuara nga e djathta në adresë të Presidentit Moisiu për mosrespektim të Kushtetutës. Gazeta Shqip
Shtuar më 26/04/2007, ora 12:36
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori