Shqip do të votohet në tërë Maqedoninë
Albeu.com
Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) ka sjellë vendim me të cilin partia dhe kandidati shqiptar në listat zgjedhore do të jenë të shkruar edhe në gjuhën shqipe në tërë territorin e Maqedonisë.Kështu me këtë edhe bashkësitë tjera joshumicë që garojnë në këto zgjedhje me partitë e tyre do të kenë mundësi që në listat votuese partinë e tyre ta kenë në gjuhën e tyre amtare. Këtë të hënën për “Lajm” e bëri të ditur nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi. Ai tha se ky vendim është sjellë të shtunën me qëllim që të ketë kohë të mjaftueshme që listat zgjedhore të shtypen me kohë dhe të mos ketë probleme në këtë drejtim. “Listat votuese me të cilat qytetarët do të mund të votojnë tashmë veç janë në shtypje e sipër. Të shtunën u arrit kompromis në të cilin u miratua vendimi që të gjitha listat e kandidatëve, në të gjitha njësitë zgjedhore në të cilën kriteri nuk plotësohet mbi 20 për qind, emri i partisë dhe i kandidatit apo bartësit të listës të shkruhet edhe në gjuhën e komunitetit në të cilën ata janë deklaruar”, tha Jakupi, duke shtuar se me këtë partitë shqiptare, emri i kandidatit apo bartësit e listës do të shkruhen në gjuhën shqipe në mbarë territorin e Maqedonisë.
Ky vendim vjen pasi që javën e kaluar anëtarët e KSHZ-së, refuzuan kërkesën e Jakupit që edhe në komunat ku shqiptarët janë nën 20 për qind të ketë lista në gjuhën shqipe. (LAJM)
Shtuar më 27/05/2008, ora 23:42
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori