Reja afër rinovimit të kontratës me Kombëtaren

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Edoardo Reja ka nisur nga puna për kualifikueset e Kampionatit Botëror, por ende nuk e ka firmosur për të rinovuar kontratën me kuqezinjtë, njofton Euronews Albania.

Italiani ka arritur konsensusin me Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, diçka që vetë ky i fundit e ka konfirmuar për Euronews Albania në fundin e dhjetorit, por ende nuk është hedhur e zeza mbi të bardhë.

Siç mësohet, trajneri 74-vjeçar do të nënshkruajë kontratën e re në vizitën e radhës në vendin tonë. Diçka e tillë i është propozuar dhe në mesin e janarit, por angazhimet që kishin palët e shtynë nënshkrimin e marrëveshjes së re për në takimin e radhës.

Një marrëveshje “xhentëlmenësh” mes palëve, me trajnerin që duket i fokusuar dhe e sheh aventurën me Shqipërinë si një mundësi të mirë për të bërë një mbyllje dinjitoze të karrierës së tij.

Sa i përket detajeve të kontratës, nuk pritet që të ketë asnjë ndryshim sa i përket kushteve financiare që do të jenë të njëjta.

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Eduardo Reja ka drejtuar kombëtaren e Shqipërisë në 8 takime, duke marrë tre fitore, një barazim dhe katër humbje.


Shtuar 1.02.2020 22:37