"Shpullë" ruse për diplomacinë shqiptare
Ka shkuar në kufijtë e një skandali diplomatik reagimi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë ndaj akuzave të Rusisë për përfshirjen e vendit tonë dhe Kosovës në ngjarjet e pak ditëve më parë në Maqedoni ku u pretendua një sulm i armatosur mbi një rajon policie, transmeton Albeu.com.

Në njoftimin e djeshëm, Ministria e Jashtme e Shqipërisë njoftoi se i kishte thënë ambasadorit rus në Tiranë që Shqipëria nuk mund të pranojë që Rusia t’i bëjë shantazh nëpërmjet deklaratave fajësuese për ngjarje që ndodhin në Maqedoni.

Ky lajm gjeti hapësirë të madhe në media gjatë ditës së djeshme për shkak të shtetit të përfshirë, siç është Rusia, por edhe sensibilitetit të ngjarjes së ndodhur në Goshincë të Maqedonisë.

Sot pasdite ka ardhur reagimi i ambasadës ruse, i cili shkon përtej një qendrimi diplomatik.

“E konsiderojmë të papranueshëm shtrembërimin e thelbit dhe të karakterit të bisedës së Ambasadorit rus me përfaqësuesin e MPJ-së së Shqipërisë. Toni i deklaratës zyrtare të Ministrisë nuk pasqyron aspak frymën e takimit, i cili u zhvillua në një atmosferë miqësore. Në deklaratë nuk përmendet dialogu konstruktiv mes palëve mbi çështjet dhe perspektivat e marrëdhënieve ruso-shqiptare, të cilave iu kushtua pjesa më e madhe e bisedës. Është e rëndësishme të vihet re se qëndrimet e Rusisë dhe Shqipërisë ndaj çështjes së Kosovës nuk u trajtuan fare nga bashkëbiseduesit”, shprehet ambasada.

Më tej, ambasada ruse në Tiranë i jep edhe një këshillë ministrisë sonë: Do t’u rekomandonim autorëve të deklaratës të njihen me kuptimin e fjalës “shantazh” dhe të shmangin në të ardhmen përdorimin e saj të papërgjegjshëm dhe jokorrekt në deklarata zyrtare të dikasterit të politikës së jashtme.

Pas ngjarjes së Goshincës, autoritetet ruse do të akuzonin Shqipërinë dhe Kosovën se lejonin zhvillimin e akteve të tilla duke lehtësuar kalimet në kufi. Kjo deklaratë ishte edhe shkaku se përse ambasadori rus u thirr dje në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë për të dhënë shpjegime.

Ka pak rendësi nëse deklarata e ministrisë pas takimit me ambasadorin rus ishte lapsus i ndonjë funksionari riosh apo tentativë për të trashur zërin, por fakt është që reagime të tilla ambasadash janë të rralla dhe me pasoja diplomatike. /albeu.com/


Shtuar më 28/04/2015, ora 22:39

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori