Një investim i ri për fëmijët e kryeqytetit do t’i shtohet liqenit artificial të Tiranës.
Qendra e re Kombëtare e Kulturës për Fëmijë dhe Teatri i Kukullave, është projekti më i ri, i parashikuar të ndërtohet përgjatë 2 viteve, duke filluar zbatimin nga 2023.
Kryeministri i vendit Edi Rama, i pranishëm në prezantimin e projektit u shpreh se ishte e paimagjinueshme që fëmijët të mos kishin një qendër të denjë artistike dhe kulturore, një teatër të denjë kukullash, por vazhdonin të frekuentonin teatrin e vjetër.
Por sipas tij jo të gjitha gjërat mund të bëheshin menjëherë. Ai u ndal edhe te projekti i Bibliotekës Kombëtare, por së pari tha se duhet të lirojnë rrugën nga drejtësia e korruptuar.
Rama: Mirëpo jo të gjitha gjërat mund të bëheshin menjëherë, jo të gjitha mundësitë i kemi sa ç’kemi nevojat të cilat janë në proporcione shumë më të mëdha sesa mundësitë. Megjithatë ja ku i erdhi dita edhe kësaj vepre të re, e cila siç e patë dhe nga prezantimi jo vetëm do të jetë një hapësirë me të gjitha kushtet për fëmijët, por do të jetë një tjetër shenjë e rëndësishme arkitektonike, një tjetër vepër ikonike e transformimit dhe e modernizimit të Shqipërisë, të kryeqytetit dhe patjetër edhe të një territori të tërë si ky ku faktikisht kjo godinë do të jetë një vlerë e shtuar sëbashku, shpresoj së shpejti dhe me Bibliotekën e re Kombëtare, që është një tjetër projekt fantastik, por që siç na duhet të çlirojmë rrugën e zënë nga drejtësia e korruptuar me truallin në anën tjetër, ashtu na duhet edhe të sigurojmë financimin masiv që ka nevojë gjë që jam i bindur do të arrijmë ta bëjmë në një kohë të arsyeshme./Albeu.com/