Shpëtoni Lindita Nikollën
Albeu.com
Lindita Nikolla mbajti një fjalim lamtumire sot në Kuvend, ku me lot në sy u përpoq të thoshte se merrte të gjitha përgjegjësitë për çfarë ka ndodhur deri më tani me arsimin në vend.

Këtij fjalimi lamtumire i mungoi vetëm togfjalëshi: "jap dorëheqjen", edhe pse Nikolla e tha me plot gojë se ishte e gatshme për çdo përgjegjësi.

Duket qartë që ministrja e Arsimit kërkon të largohet nga detyra e saj, ndoshta duke ndjerë presionin e studentëve, ndoshta edhe për shkak të çarjeve të forta brenda maxhorancës dhe luftës që ka plasur aty mes grupit të Tahirit dhe Veliajt, ku mund të ketë edhe "viktima" si e besuara e Ramës në krye të arsimit, por atë nuk po e lenë të ikë.

Ai që nuk e le kuptohet qartë se kush është dhe e mban peng ministren për të mos filluar shkepjen trikos, e cila nuk do të ndalej më vetëm të Lindita Nikolla, por do të vazhdonte edhe tek ministra të tjerë.

Rama e di shumë mirë këtë dhe prandaj bën cirk me studentët duke i ftuar për gjoja dialog, ndërkohë që është zbythur i tëri në qendrimin e tij duke thënë se i plotësonte të gjitha kërkesat.

Pra, Rama ka premtuar tashmë se do të plotësojë të gjitha kërkesat e studentëve, por ai nuk do të dalë si humbësi nga kjo përplasje, prandaj i fton studentët për të dialoguar që kur ata të dalin fitues, Rama të jetë në krahun e tyre.

Rama po e mban peng Lindita Nikollën pikërisht për këtë fakt edhe pse e di i madh e i vogël në Shqipëri se një ministre, nuk ka fuqi të bëjë një ligj si ai klientelist për Arsimin e Lartë pa urdhrin e kryeministrit.

Lindita Nikolla ka përgjegjësitë e veta për çfarë ka ndodhur me arsimin gjatë këtyre viteve në Shqipëri, por nuk është ajo që mban përgjegjësinë për ligjin tërësisht klientelist të Arsimit të Lartë.

Ai ligj u përpilua në tavolinat e klientëve të Ramës pronarë universitetesh jo publike dhe me bekimin e kryeministrit iu dërgua Nikollës për të vënë firmën aty.


Prandaj lindita Nikolla është peng sot.

Është peng i spektaklit që do të bëjë kryeministri dhe i përplasjeve brenda socialistëve ku secili ka marrë llogoren e vet në prag edhe të shpalljes së kandidaturave për bashkitë e vendit, ku duket se askush, as edhe Veliaj, nuk është i sigurt. /albeu.com/
Shtuar më 13/12/2018, ora 16:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori