Inteligjenca Artificiale nuk njeh kufij, mund të dallojë bindjet politike të njerëzve vetëm me një foto

Edhe bindjet politike të bazuara në pamjen e jashtme mund të parashikohen nga inteligjenca artificiale, pohojnë studiuesit danezë dhe suedezë.

Në veçanti, hulumtimi i tyre, i publikuar në revistën mjekësore “Nature”, tregoi se pamja e jashtme mund të “zbulojë” “besimet” politike të një personi.

Një ekip studiuesish me bazë në Danimarkë dhe Suedi kreu studimin për të parë nëse “teknikat e të mësuarit të thellë” si teknologjia e njohjes së fytyrës dhe “analitika parashikuese” mund të aplikohen në tiparet e fytyrës për të parashikuar orientimin e tyre politik.

Qëllimi i studimit “ishte të demonstronte kërcënimin që i vinte privatësisë së individit nga kryqëzimi i teknikave të të mësuarit të thellë dhe fotove lehtësisht të disponueshme”, siç theksojnë autorët e studimit.

Për studimin, studiuesit përdorën 3233 imazhe të kandidatëve politikë danezë që konkurronin në zgjedhjet lokale dhe i prenë ato në mënyrë që të dukeshin vetëm fytyrat e tyre.

Pas kësaj, ata aplikuan teknika të sofistikuara për të vlerësuar shprehjet e tyre të fytyrës dhe renditën personat e paraqitur në foto sipas “shkallës së bukurisë”, të cilën e përcaktuan sipas të dhënave të një baze të dhënash përkatëse.

Duke përdorur këto të dhëna, shkencëtarët parashikuan nëse njerëzit e paraqitur në foto kishin bindje politike të krahut të majtë apo të djathtë.

Studimi zbuloi se teknologjia e përparuar parashikonte me saktësi pikëpamjet politike në 61% të rasteve.

Mjeti i AI parashikoi që kandidatët konservatorë dukeshin më të lumtur se të majtët, bazuar në buzëqeshjen e tyre, ndërsa kandidatët liberalë ishin më neutralë.

Gratë që shfaqnin apati dhe përbuzje, pra pozonin para kamerës me një shprehje neutrale në fytyrë, përqafuan politika më liberale.

Studiuesit zbuluan gjithashtu se mjeti i AI lidhi nivelin e atraktivitetit të një kandidati me pikëpamjet e tyre politike.

Gratë që u vlerësuan tërheqëse nga vlerësimet e tyre të bukurisë kishin pikëpamje konservatore.

Mirëpo, e njëjta gjë nuk ndodhi me meshkujt, pra meshkujt që konsiderohen më të bukur, nuk i përkisnin hapësirës politike të djathtë.

Siç raporton Business Insider, paragjykimet rreth standardeve të bukurisë dhe gjinisë që përdoren shpesh në modelet e inteligjencës artificiale (AI) mund të përforcojnë stereotipet dhe të çojnë në rezultate specifike, duke ndikuar, për shembull, në punësimin në vendin e punës.

“Fotografitë e fytyrave janë zakonisht të disponueshme për punëdhënësit e mundshëm dhe ata që kanë një fjalë në vendimet e punësimit, tregojnë një gatishmëri për të diskriminuar në bazë të ideologjisë”, theksuan studiuesit.


Shtuar 21.06.2023 16:30