Shpërthimi i Çernobilit, ky është fshati shqiptar më i prekur nga reja radioaktive
Pëlqej
Më 26 prill 1986, një incident në centralin bërthamor të Çernobilit do të shënonte një kthesë të madhe në Europë dhe do të bëhej mësim për vitet e ardhshme për shumë vende të botës.

Një shpërthim aksidental gjatë një testimi në reaktorin nr.4, në centralin bërthamor në Priapat, 120 km nga Kievi, do të trondiste të gjithë Bashkimin Sovjetik. Pasojat e atij shpërthimi patën pasoja në jetë njerëzish dhe mendohet se do të kenë ndikim edhe për qindra vite.

Çernobili ishte i dyti në listën e centraleve bërthamore më të fuqishme të Bashkimit Sovjetik. 20 tonë lëndë radioaktive shpërthyen në ajër dhe u ngritën në lartësi.

Reja radioaktive nisi të udhëtonte fillimisht drejt veriut të Europës. Kontinenti i vjetër u gjet në mëshirën e erërave.

Megjithatë, edhe pse përballë një armiku të padukshëm që rrezikonte jetën e njerëzve, popullata në ish-Bashkimin Sovjetik do të merrte vesh për incidentin dy ditë më vonë.

Reja radioaktive mbërriti edhe në jug të Europës, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Për herë të parë, vendi ynë gjendej në një situatë të jashtëzakonshme që lidhej me përhapjen e radioaktivitetit. Efektet e para u panë më 1 maj 1986, ndërsa një ditë më pas u shpall gjendja e jashtëzakonshme.

Shkëlqim Mema, ish-anëtar i Komisionit për Mbrojtjen nga Rrezatimi, tashmë në pension, në një intervistë për TemA TV, kujton se si u përjetua ajo ngjarje në Shqipëri.

Matjet treguan se radioaktiviteti ishte në nivele më larta se ato që konsiderohen sasi e sigurt. Nga matjet e kryera në terren rezultoi se zona më e prekur ishte verilindja e vendit. Rekordi do të shënohej në Rrajcë të Librazhdit.

Mema kujton se masat e para ishin udhëzimet për kufizimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, sidomos qumështi. Në atë kohë, plani i masave u koordinua nga Instituti i Fizikes Bërthamore, në kontakt të vazhdueshëm me vendet fqinje dhe Agjencinë e Energjisë Atomike. Kjo sepse shteti nuk kishte pse të ndihej fajtor dhe të fshihte një incident të ndodhur në një vend tjetër.

Po sa të rrezikuar jemi ne si vend në një rast të ngjashëm me atë të Çernobilit. Në fund të vitit 2018, qeveria ka miratuar një plan masash në rast të një incidenti potencial bërthamor në vendet fqinje. Dy janë centralet bërthamore që mund të ndikojnë në Shqipëri: Kozlodui në Bullgari dhe Kërsko në Slloveni. Kryetari i Zyrës për Mbrojtjen nga Rrezatimi, në Institutin e Shëndetit Publik, Rustem Paci, shpjegon se çfarë parashikon plani i emergjencave në rast se paraqitet një rrezik i tillë.

A është ky plan masash i mjaftueshëm në rast të një incidenti bërthamor apo rënies së lëndëve radioaktive në duart e dikujt që mund t'i përdorë për qëllime të mbrapshta?

Duke iu rikthyer incidentit të Çernobilit, Mema thotë se ana pozitive e tij, përsa mund të quhet e tillë, ishte se ai vuri në provë planet e atëhershme të masave dhe efikasitetin e tyre.

Por 33 vjet më vonë, sipas tij, situata të tilla kërkojnë pajisje dhe njerëz. Në këtë drejtim, qendrat kryesore që ndjekin situata të tilla, Instituti i Fizikës Bërthamore në këtë rast, duan mbështetjen e shtetit, për të mos mbetur vetëm te planet në letër. /TemaTV/
Shtuar më 11/02/2019, ora 15:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori