Shperthim ne Mitrovice, dymbedhjete te plagosur
Albeu.com
Një numër i madh i serbëve, janë mbledhur në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë, për të kundërshtuar hapjen e Zyrës së regjistrimit civil të Qeverisë së Kosovës, ku ka pasur shpërthim dhe të shtëna me armë dhe janë plagosur 12 persona.Rreth orës 09.00 të së premtes është dëgjuar alarmi në pjesën e veriut, i cili shërben për serbët si sinjal që ata të tubohen në raste emergjente. Pastaj diku rreth 500 serbë janë mbledhur në Lagjen e Boshnjakëve, në rrugën që dërgon te objekti ku duhet të përurohet Zyra për regjistrimit.

Rreth orës 9.50 është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm në pjesën ku kanë qenë serbët e tubuar, ndërsa pas pak ka arrit autoambulanca nga pjesa veriore, e cila pastaj ka shkuar në drejtim të spitalit të veriut, ku besohet se mund të ketë rreth 12 të lënduar nga shpërthimi. Kurse më pas ka pasur edhe shtëna me armë zjarri.

Gjatë gjithë kohës situata është monitoruar nga një helikopter i KFOR-it, kurse të pranishëm kanë qenë edhe një numër i policëve të stacionit të veriut dhe pjesëtarët e KFOR-it grek.

Radenko Nrdelkoviç, kryetar i Veriut të Mitrovicës i zgjedhur nga strukturat paralele, ka thënë për Kosovapress se populli është mbledhur, sepse është kundër marrëveshjes që është arritur pa i pyetur serbët lokal dhe Beogradin zyrtarë, që të hapen zyrat, andaj një përurim i tillë është i pamundur.

“EULEX-i edhe një herë ka treguar se nuk është neutral, sepse pjesëtarët e tyre janë para zyrave që duanë të hapen, ndërsa këtu ndodhet vetëm KFOR-i grek. Jemi kundër hapjes së zyrave të Piter Faithit dhe të shtetit të ashtuquajtur të Kosovës”, ka thënë Nrdelkoviç. (kp)
Shtuar më 02/07/2010, ora 11:49
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori