Shpërthen ish-ministri: PD nuk është vend pune për Bashën, por as parti “tepsie”
Ish- ministri Ferdinand Xhaferri ka reaguar në lidhje me zgjedhjet e 25 qershorit dhe humbjes së thellë të Partisë Demokratike në të gjithë vendin.

Ish-ministri shkruan se Partia Demokratike nuk është vetëm një vend pune për një djalë të mirëshkolluar si Lulzim Basha por shumë e më shumë.

“Por, nëse Basha mendon se duhet ta vazhdojë projektin e tij si me mendësinë, edhe me përqasjen që kishte katër vitet e shkuara, qartazi i themi se drejtimi i Partisë Demokratike nuk përfaqëson dhe nuk është thjesht një vend pune për një djalë të ri të mirëshkolluar.

Themi kështu, sepse Basha në katër vite opozitë nuk e konsideroi si punë primare të tij riorganizimin e parties”-shkruan Xhaferri.

Nga Ferdinand Xhaferaj

Edi Rama s’e kishte shpresuar përmasën e fitores në këto zgjedhje dhe kishte të drejtë. Ai njihte dobësitë e tij të lidhura me mungesën edhe të bilancit, se çfarë kishte prodhuar në katër vitet e shkuara, edhe të programit se çfarë do të ofronte në katër vitet që vijnë.

Në këto kushte, në fushatë Edi Rama bëri përsëri atë që di të bëjë më mirë. U mor vetëm me imazhin, duke u paraqitur si një politikan ‘playboy’ i variantit shqiptar. Pra, në këto zgjedhje nuk kishte argumente të logjikshme që të fitonte Partia Socialiste, thjesht ka humbur rëndë Partia Demokratike.

Debati i nisur në partinë më të madhe opozitare është tejet i domosdoshëm, por retorikat agresive të përjashtimit apo linçimit po lënë në hije shpjegimin në mënyrë racionale të shkaqeve se përse Partia Demokratike u fundos në këto zgjedhje. Lulzim Basha në daljen e tij të parë publike, menjëherë mbas humbjes, bëri me dije në mënyrë sipërfaqësore disa nga arsyet.

Ai u ndal më shumë tek blerja masive e votës dhe shmangu përgjegjësinë e tij personale që me pranimin e “McAllister Plus” e veshi Ramën me antiplumb ndaj akuzave për blerje vote. Kjo nuk do të thotë se çadra ishte gjetje e gabuar.

Ne demokratët duhet të pranojmë me krenari që çadra dhe retorika e përdorur në çadër ishte gjetja e duhur për të korrektuar opozitën e dobët të bërë më parë.

Për më tepër, çadra shërbeu edhe për të sensibilizuar aktorë të brendshëm dhe të jashtëm se opozita e ka të pamundur të ndeshet me një qeveri që promovoi ç’drogimin e Lazaratit dhe përfundoi me drogimin e të gjithë Shqipërisë.

Thënë këtë, përsëri mendoj se do të ishte gabim që Partia Demokratike të bojkotonte zgjedhjet. Mbas kësaj, e vetmja zgjidhje e PD-së do të ishte dhuna, e cila përveç të tjerave do ta fuste Partinë Demokratike në një kurs përplasjeje me të gjithë ndërkombëtarët.

Por, ishte gabim edhe më i rëndë që PD-ja hyri në zgjedhje, duke pranuar “McAllister Plus”. Kjo bëri që Basha, i cili hapi çadrën që të përmbyste Ramën, e mbylli atë i joshur nga oferta e bashkëqeverisjes me Ramën.

Në të vërtetë, Basha duhet të lidhte marrëveshje me ndërkombëtarët se hynte në zgjedhje pa “McAllister Plus”, si e vetmja mundësi e mbetur për të shmangur dhunën. Me këtë përqasje ai i kishte zgjidhur vetes mundësinë për të denoncuar të gjithë maskaradën e Rilindjes në këto zgjedhje.

Në deklaratën e tij, Basha gjithashtu u kujdes t’i bënte me dije grupimit, që po e sfidon aktualisht, pretendimin e arsyeshëm se në këtë fushatë ata nuk u angazhuan apo bënë sikur u angazhuan.
Pra, rezultati në zgjedhje perceptohet nga Basha se vjen nga shkaqe përtej kontrollit të tij.

Kjo e shtyn kryetarin e Partisë Demokratike të mos heq dorë nga projekti tashmë i shpallur, të cilin ia ka lënë në dorë ta gjykojnë demokratët. Por, nëse Basha mendon se duhet ta vazhdojë projektin e tij si me mendësinë, edhe me përqasjen që kishte katër vitet e shkuara, qartazi i themi se drejtimi i Partisë Demokratike nuk përfaqëson dhe nuk është thjesht një vend pune për një djalë të ri të mirëshkolluar.

Themi kështu, sepse Basha në katër vite opozitë nuk e konsideroi si punë primare të tij riorganizimin e partisë. Sikurse jam shprehur edhe më parë gjatë drejtimit të Bashës, strukturat e partisë janë tërhequr zvarrë në kushtet e një vendimmarrjeje shumë herë të munguar, pak herë të gabuar dhe shpeshherë të vonuar. Si pasojë, edhe në harkun e katër viteve nuk ishim në gjendje të mirëstrukturonim partinë në të gjithë gjeografinë e Shqipërisë.

Lidhur me listat e kandidatëve, Basha kishte një ide të mirë për të përfshirë në lista personalitete nga bota akademike, por kjo ide u implementua jashtë kornizës institucionale të Partisë Demokratike.

Kjo shmangu mundësinë që disa personalitete të PD-së, si Jozefina Topalli apo dikush tjetër të shikoheshin më me shumë kujdes lidhur me vendimmarrjen finale për përfshirjen e tyre në listë. Kjo jo për faktin se ata kanë shkëlqyer (ashtu sikurse të gjithë ne që jemi në PD) në mbrojtje të demokracisë brenda partisë.

Ne jemi dëshmitarë se përgjatë historisë së PD-së, normat demokratike janë vendosur gjithmonë në një bazament të lëkundshëm. Por, lista e shpallur nga Basha nuk përcolli mesazhin e domosdoshëm të diferencimit midis atyre që kanë investuar dhe janë sjellë si politikanë profesionistë dhe atyre që e kanë parë politikën thjesht si një angazhim, ku zhytesh vetëm për t’u pasuruar.

Pavarësisht sa shprehëm më lart, përsëri i mbetem mendimit se problem në Partinë Demokratike nuk është vetëm Lulzim Basha. Është tronditës fakti që i gjithë debati në Partinë Demokratike konturohet në dy kampe që ndahen si me thikë.

Të gjithë ata që janë bërë deputetë apo janë drejtues të pushtetit vendor heshtin apo janë pro Bashës. Ndërsa pothuajse të gjithë ata që pretendonin, por nuk u bënë deputetë formësojnë grupin e kritikëve të ashpër ndaj tij.

Kjo na çon drejt ndjesisë së trishtueshme se edhe për Partinë Demokratike, debati aktual nuk është punë partie, por thjesht punë tepsie. Nuk ka si shpjegohet ndryshe fakti se gjithë ky tension shumë i madh mediatik, prodhuar nga funksionarë dhe ish-funksionarë të PD-së po zhvillohet në një oborr të zbrazur të Partisë Demokratike, që dukshëm shpreh indiferencën e anëtarëve të saj.

Ndodh kështu, sepse debati aktual brenda PD-së po lë qartazi shijen se rendja mbas interesit personal është “the only game in the toën” (e vetmja gjë e disponueshme) për Partinë Demokratike. Kjo na bën me dije se sa problematike është e ardhmja e partisë, që lindi si shpresë për të ardhmen perëndimore të Shqiptarëve.

Pra, midis të tjerave, për lidershipin e Partisë Demokratike kërkohet detyrimisht një balancim më i mirë i interesave afatshkurtra personale me interesat afatgjata të ndërtimit të një strategjie të mirëdebatuar për të ringritur Partinë Demokratike.

Gjatë fushatës elektorale z. Basha xhiroi një spot, ku vinte në dukje se nuk e ka pasur problem për të ndërtuar të ardhmen e tij dhe të familjes edhe jashtë Shqipërisë. Spoti theksonte se ai është në politikë që të ndërtojë një të ardhme më të mirë për familjet shqiptare.

Pra, në këtë garë Lulzim Basha e ka të detyrueshme të provojë se nuk qëndron për t’ia hedhur edhe këtë radhë, por e ka lexuar si duhet të shkuarën dhe është tejet i qartë në piketat drejt së ardhmes. /albeu.com/


Shtuar më 03/07/2017, ora 09:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori