Shpërthen deputeti socialist: PS dhe LSI të hyjnë të ndara në zgjedhje
Pëlqej
Deputeti socialist Ervin Bushati thotë se dy forcat e mëdha aleate në qeverisje, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim mund të futen të ndara në garën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 18 qershorit 2017.

Kjo sipas tij, duhet bërë për të respektuar ligjin, në kushtet kur ka skaduar afati për regjistrimin e koalicioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, dy ditë më parë.

“Nuk ka asnjë problem në këtë pikë. Le të shkojnë edhe të ndara. Rëndësi ka të zbatohet ligji. Rëndësi ka të jemi sa më të ftohtë, dhe mekanizmi të jetë ligjor. Nëse ne i bindemi vetëm ligjeve, atëherë kjo pjesa e pasioneve do të zhduket. Sa më e qetë të jetë politika, aq më mirë për qytetarët. Forcat politike në Shqipëri herë pas herë kanë qenë të pamatura, të pamaturuara”, u shpreh Bushati.

Teksa komentoi raportet brenda mazhorancës aktuale qeverisëse, Bushati tha se bashkëpunimi është pozitiv. Ai u shpreh se diskutimet brenda koalicionit janë të kuptueshme, duke u nisur nga fakti se çdo parti politike ka axhendën dhe platformën e saj politike.

Intervista:

Duket sikur palët parimisht kanë rënë dakord që në vend ka një krizë institucionale. Por si mendoni ju se duhet të vijë zgjidhje?

Mazhoranca është e qartë në këtë pikë. Në radhë të parë duhet të respektohet Kushtetuta dhe vullneti i qytetarëve se kë kanë vendosur në mazhorancë dhe kë në opozitë, flas për mandatin që po mbaron. Dua të them se mazhoranca është në fund të një mandati të suksesshëm. Kemi marrë sinjale pozitive dhe vlerësime nga ndërkombëtaret. Reformat e ndërmarra kanë përmirësuar situatën ekonomike në vend, dhe kanë përmirësuar cilësinë e jetesës së qytetarëve. Padyshim që duhet një angazhim i madhe për reformën në drejtësi, e cila është kryefjala e gjithë reformave të ndërmarra deri më tani. Reforma në drejtësi është e pashmangshme, dhe është e vetmja mundësi për të dalë nga një tranzicion që po zgjat. Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë, janë bërë shumë hapa nga kjo mazhorancë për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Shumë probleme mbeten akoma. Shqipëria nuk është një vend i pasur, ka dalë nga një diktaturë që e la në prapambetje të thellë.

Kriza duket se ka mbërritur edhe brenda koalicionit qeverisës. PS dhe LSI nuk arritën të regjistroheshin si koalicion në KQZ brenda afatit?

Bashkëpunimi brenda mazhorancës ka qenë pozitiv. Duhet të kemi parasysh se të gjitha reformat që kanë kërkuar shumicë të cilësuar janë votuar me të gjitha votat. Kjo është mazhoranca më e stabilizuar në vend. Një mazhorancë që nuk ka bërë prapa në asnjë moment. Ne kemi votuar në Kuvend të gjithë ligjet që kemi ndërmarrë. Besoj se mazhoranca është e stabilizuar. Mungesa e garës me opozitës e shtyn mazhorancës që të marrë angazhim edhe më shumë. Duhet t’i shohim politikanët, mazhorancën, apo edhe drejtuesit e tjerë, si një detyrë që u mbron në një afat të caktuar. Dita më e mirë në këtë vend, do të jetë kur qytetarët t’i shohin politikanët si punëtorët e këtij vendi. Politika duhet të shihet si gjithë profesionet që janë në shërbim të qytetarit. Vota ka qenë masive për çdo projektligj për çdo reformë. Brenda çdo forcave politike ka diskutime, imagjino brenda nja mazhorancë që ka forca politike me platforma dhe axhenda të ndryshme politike. Çdo ambicie është më se normale. Një forcë politike pa ambicie është e vdekur.

Me tejkalimin e afatit ligjor për koalicionet, PS dhe LSI do shkojnë të ndara?

Nuk ka asnjë problem në këtë pikë. Le të shkojnë edhe të ndara. Rëndësi ka të zbatohet ligji. Rëndësi ka të jemi sa më të ftohtë, dhe mekanizmi të jetë ligjor. Nëse ne i bindemi vetëm ligjeve, atëherë kjo pjesa e pasioneve do të zhduket. Sa më e qetë të jetë politika, aq më mirë për qytetarët. Forcat politike në Shqipëri herë pas herë kanë qenë të pamatura, të pamaturuara.

Të ndalemi tek çështja e presidentit. Dy ditë më parë koalicioni ka ndryshuar qëndrimin për këtë çështje, duke kërkuar një president konsensual. Çfarë ka ndryshuar?

Ne kemi qenë të hapur për biseda, për negocim, kemi qenë të hapur të kuvendojmë në Kuvend. Kemi qenë të hapur që me reformën në drejtësi, ndonëse i kemi patur votat për ta kaluar edhe vetëm. Duhet të kemi demokraci funksionale, shtet ligjor, dhe treg të lirë, për të qenë një vend demokratik, dhe për të ecur përpara. /albeu.com/
Shtuar më 21/04/2017, ora 19:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori