Shoqëria Civile letër në OKB, kërkohet dorëheqja e Jeremiç
Shoqëria Civile shqiptare i ka dërguar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, në të cilën i kërkohet që të merren masa për Presidentin e Asamblesë së Përgjithshëm të OKB-së, Vuk Jeremiç, i cili ka bërë shkelje të rënda nisur nga posti që mban.

Letra është firmosur nga drejtuesi i organizatës Forumi i Mendimit të Lirë, Mentor Kikia dhe në datën 9 shkurt ka mbërritur në zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Z.Ban Ki Moon.

Letra ka nisur me arritjet që ka ky institucion ndërkombëtar dhe punën e Sekretarit të Përgjithshëm të kombeve të bashkuar, ku më pas është theksuar se për fat të keq, ky rekord shembullor arritjesh është dëmtuar seriozisht nga presidenti në detyrë i Asamblesë së Përgjithshme, z.Vuk Jeremiç.

Në letër i bëhej thirrje që Jeremiç të japë dorëheqjen pasi në koncertin e organizuar në 14 Janar 2013, ku pjesa famëkeqe “Marshi mbi Drin” është luajtur në sallën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së”, kolonë muzikore që shërbeu si himn i serbëve ndaj masakrave në Srebrenicë.

“Ky akt i shëmtuar është fyes dhe ofendues jo vetëm për popullin martir të Bosnjës dhe Hercegovinës, por të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit, të cilët ishin viktima të luftërave të përgjakshme nga forcat serbe gjatë procesit të vështirë të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, e cila kulmoi me gjenocidin në Srebrenicë, krime këto që janë kryer pikërisht nën meloditë e "Marshi mbi Drin". Ky akt i pashembullt, i cili në realitet fyen tërë botën, krijon një njollë të rëndë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ajo na zemëron edhe më tej, kur në vend që të kërkonte falje publikisht për këtë akt pështirë, i cila është e vështirë që të pranohet edhe për popullin serb, z Jeremic, si një fanatik i përkushtuar ideve nacionaliste të Millosheviçit, vazhdon të refuzojë të marrë përgjegjësi, ashtu siç qeverisë së Serbisë vazhdon të bëjë hije e kaluara, duke vazhduar të mos kërkojë falje për gjenocidin, masakrat dhe dhimbjet që i ka shkaktuar popujve në rajon, boshnjakëve, shqiptarëve e kroatëve”, thuhet në letër.

Sipas letrës drejtuar Ban Ki Mun, është theksuar se akti i Jeremiç nuk është i izoluar dhe aksidental, por një veprim i menduar dhe paramenduar mire dhe shpeshherë ai ka provokuar Kosovën nëpërmjet deklaratave nacionaliste.
Shtuar më 10/02/2013, ora 17:13

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori