Shoqata e Prokurorëve kërkojnë trupë policore sigurie pas dhunës së prokurorit
Pëlqej
Shoqata e Prokurorëve ka reaguar ditën e sotme me anë të një deklarate për mediat, ndaj dhunës së ushtruar ndaj prokurorit Ervin Beqiri.

Teksa ka kaluar një ditë ku i burgosuri Mariglen Përgjini ushtroi dhunë ndaj prokurorit Ervin Beqiri, brenda në ambientet e burgut të Shënkollit të Lezhës, Shoqata e Prokurorëve kërkon ndëshkimin maksimal.

Me anë të një deklarate për shtyp, prokurorët kërkojnë të kenë një trupë policore sigurie, pjesë përbërëse e strukturës së Prokurorisë së Përgjithshme.

"Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, nisur nga ngjarja e djeshme e ndodhur në ambjentet e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (I.E.V.P) Lezhë, dënon aktin e dhunshëm fizik kundër prokurorit Ervin Beqiri, që u godit në krye të detyrës.

Duke marrë shkak nga ky rast i paprecedentë, i bëjmë thirrje Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të marrë masa nëpërmjet përmirësimit të akteve nënligjore, për t`iu garantuar siguri maksimale prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore, kur ato ndodhen në ambjentet e institucioneve të paraburgimit dhe të vuajtjes së dënimit, gjatë përmbushjes së detyrave të tyre funksionale.

Raste të tilla duhet të ndëshkohen në mënyrën më të ashpër ligjore, pasi akti i djeshëm është dhunim i hapur i përfaqësuesit të shtetit. Ngjarja e djeshme e dhunës fizike nuk është një rast i izoluar, pasi kohët e fundit prokurorët po përballen me presione verbale nga individë, grupe të strukturuara kriminale madje dhe segmente të ndryshme të politikës.

Ngjarje të kësaj natyre e bëjnë të domosdoshme që prokurorët të kenë një trupë policore sigurie, pjesë përbërëse e strukturës së Prokurorisë së Përgjithshme, pasi procedura aktuale e marrjes nën mbrojtje të prokurorëve nuk është funksionale.

Prokurorët që kryejnë hetime për vepra penale me rrezikshmëri të lartë duhet t`iu garantohet mbrojtja fizike përpara se atyre t`iu rrezikohet jeta.

Sfidat e prokurorëve në goditjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar, kërkojnë mbështje të gjithanshme, nga aktorët dhe faktorët e brendshëm, si dhe ato ndërkombëtarë që monitorojnë sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

I bëjmë thirrje prokurorëve, që të vijojnë të kryejnë funksionet e tyre ligjore me përkushtim, objektivitet, pavarësi, ndershmëri dhe jashtë ndikimeve të çfarëdolloji. Hetimi dhe gjykimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar nga sistemi i drejtësisë në Shqipëri, i shërben integrimit sa më të shpejtë të vendit tonë në BE.

Shoqata siguron opinionin publik se prokurorët janë të përgjegjshëm dhe të vendosur për të përmbushur misionin e tyre ligjor", përfundon deklarata. /albeu.com/

Shtuar më 27/09/2014, ora 14:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori