SHOKUESE/ "Mësuesi i gjeografisë na fliste për tema seksi dhe bënte veprime të çrregullta"
Mësuesi i gjeografisë na fliste edhe për tema seksi në orën e mësimit”. Kjo ka qenë deklarata e nxënëseve të klasës së nëntë në shkollën e fshatit Kozarë në Kuçovë, që më pas ka çuar në pranga mësuesin e tyre Ajaz Ajazi.

63-vjeçari i cili, veçse mësues gjeografie, ishte edhe drejtor i shkollës, e ka mohuar akuzën e ngritur ndaj tij, duke e konsideruar këtë si një ngjarje të sajuar për t’i zënë vendin e punës. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se tri nxënëset e klasës së nëntë janë marrë në pyetje në prezencë të një psikologeje.

Ato janë pyetur me detaje mbi veprimet e mësuesit të tyre, por asnjëra prej të miturave nuk rezulton se ka pasur një histori personale konkrete si tentativë për ta prekur, apo për veprime të tjera të pahijshme në ambientet e shkollës apo jashtë saj, raporton Panorama.

“Na ka shqetësuar shumë me temën e seksit dhe veprimet e çrregullta që bënte. Ishte bërë i mërzitshëm në orët e mësimit, aq sa nuk na vihej në shkollë dhe na ishte neveritur”, janë shprehur nxënëset e marra në pyetje dje në Policinë e Beratit, shkruan “Panorama”.

Sot pritet që gjykata t’i komunikojë masën e sigurisë Ajaz Ajazit. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se është duke u hetuar vërtetësia e pretendimeve të nxënëseve, si dhe fakti nëse mësuesi i tyre ka tentuar të kryejë vepra të turpshme me to.

Nisur nga dëshmia e dhënë prej vajzave se mësuesi u fliste për tema seksi në orën e gjeografisë, grupi hetimor është duke mbledhur të dhëna edhe nga nxënësit e tjerë. Kjo pasi vetë mësuesi ka pranuar se kishte folur disa herë me nxënësit, për shkak se ata tashmë janë në moshë delikate.

Hetimorët nuk janë të qartë nëse mësuesi ka dhënë ndonjë këshillë në klasë rreth temave të tilla, gjë që për një fëmijë në fshat mund të konsiderohet ende tabu. Apo nëse ai e kishte kaluar kompetencën që i takon në këtë drejtim, duke u kthyer në bezdi për vajzat adoleshente e deri në ngacmime ndaj tyre.

Tashmë kjo çështje është në hetim dhe detajet e saj do të zbardhen në vijim. Drejtori i shkollës, Ajaz Ajazi, u arrestua dy ditë më parë, pasi nxënëset e tij e akuzuan për ngacmim. Që në momentin e ndalimit, ai nuk e ka pranuar akuzën, duke u shprehur se gjithçka është një sajesë për të përbaltur atë dhe për t’i marrë vendin e punës./Albeu.com/
Shtuar më 28/02/2017, ora 19:53

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori