SHËNIM/ Si Shpëtim Idrizi po i rrit "çmimin" kartonave të tij në Kuvend
Pavarësisht forcës së saj, protesta e demokratëve në shesh si edhe bojkoti i Kuvendit e ka vënë nën presion Ramën, gjë të cilën të parët e kanë vënë re aleatët e tij qeverisës.

Duket se Shpëtim Idrizi kërkon të përfitojë nga situata e krijuar me Ramën, i cili nga njëra anë ka demokratët që refuzojnë çdo pakt jashtë atij që kërkon qeveri teknike dhe nga ana tjetër kartonët aspak të sigurtë të LSI-së në Kuvend, për t'i rritur çmimin kartonëve të deputetëve të tij në Kuvend.

Cila është mënyra më e mirë për ta bërë këtë? Bëj asnjanësin ndërkohë që je në një koalicion qeverisës!

Deklarata e mëposhtme është tipike e tillë, ku Idrizi përveç se baralargohet nga Rama dhe Basha, por bën thirrje për një pakt mes partive politike, Paktin Kombëtar të Bashkimit.

"Në Kuvendin e Shqipërisë kriza është ulur këmbëkryq, sepse është bllokuar plotësisht Reforma në Drejtësi. Asnjë nga mekanizmat parlamentarë që do ta vinin në lëvizje Reformën në Drejtësi nuk funksionon.

Nuk dëshiroj të merrem me retorikën, kush e ka bllokuar dhe pse e ka bllokuar. Unë konstatoj sot, ashtu si Faik Konica në fund të shekullit XIX, se po luhet një mashtrim i madh, i cili neve, shqiptarëve, gegëve dhe toskëve, po na hedh në fatalitet. Sipas Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, kriza politike kalohet vetëm në një mënyrë: plotësimi me urgjencë i detyrimit politik dhe parlamentar që ne kemi ndaj Reformës në Drejtësi"., - tha ai sëfundmi në një takim me strukturat e PDIU-së në Tiranë.

Në këtë mënyrë, duket se Idrizi kërkon t'ja bëjë të pasigurtë kartonët e tij në Kuvend për qeverinë, me qëllim marrjen e një cope më të madhe të tortës së marrëveshjes parazgjedhore me PS-në. /E.Senja/
Shtuar më 01/03/2017, ora 14:39

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori