SHËNIM/ Përse marshimi i Zharrëzës e kërcënon Ramën më shumë se sa çadra e Bashës
Dy protesta janë duke u zhvilluar aktualisht ndarazi gjeografikisht dhe në qëllim nga njëra-tjetra.

Opozita me në krye Lulzim Bashën mblodhën në Tiranë mijëra qytetarë më 18 shkurt duke shkuar sot në ditën e gjashtë të protestës ndaj qeverisë me çadrën e vendosur përballë zyrës së Ramës.

90 kilometra nga Tirana është duke u organizuar një tjetër protest, e cila nisi me bllokim të rrugëve, hyrje në grevë urie dhe tashmë ka marrë një tjetër dimension duke u kthyer në një marshim në këmbë nga Fieri në Tiranë.

Janë banorët e Zharrëzës së Fierit që kërkojnë ndalimin e punimeve të kompanisë së nxjerrjes së naftës Bankers Petroleum, pasi sipas tyre kjo u ka shkatërruar shtëpitë dhe po u rrezikon jetën për shkak të tërmeteve të shumta dhe ndotjes së shkaktuar në zonë.

Protesta e parë ka më shumë mbulim mediatik për një serë arsyesh, ndërkohë që protesta e dytë ka mbetur në periferi të mbulimit mediatik.

Por, me marshimin e tyre nga Fieri në Tiranë, banorët e Zharrëzës duket se po ngjizin një ndjenjë solidariteti të përgjithshëm të banorëve të zonës, por edhe shumë qytetarëve të tjerë, të cilët shohin se si bashkëkombasit e tyre i bashkohen hallit të banorëve qoftë edhe me një përshendetje duke i rënë borisë së makinës.

Qytetarë që ndërkohë që janë ngrohtë dhe të ngopur në shtëpitë e tyre zgjedhin të dalin jashtë në të ftohtë duke u dërguar dru dhe ushqime protestuesve që ndodhën në çadra, apo të tjerë që që ndalojnë makinat duke qerasur marshuesit me pije frekuese apo ushqime të tjera, janë ndoshta një zile alarmi më e madhe për qeverinë, por edhe një shpresë për mbjelljen e farës së reagimit qytetar ndaj çdo qeverie, se sa qindra protestues të tjerë që janë ngujuar në shesh, të cilët janë thirrur nga një parti politike.

Nëse ka ndonjë protest, për të cilën duhet të shqetësohet Rama është pikërisht marshimi i banorëve të Zharrëzës, të cilët ndryshe nga Basha nuk kërkojnë qeveri teknike ndaj një maxhorance që ka më shumë se 80 vota në Kuvend, por kërkojnë thjesht një nga të drejtat themelore të njeriut: Sigurinë e jetës! E.Senja
Shtuar më 23/02/2017, ora 16:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori