Shkupi shpall te vdekur Remzi Hoxhen
Albeu.com
Pas 15 vjetësh i zhdukur, që prej ditës kur dyshohet se u rrëmbye nga punonjësit e SHIK-ut në Tiranë, Gjykata e Shkupit shpall të vdekur biznesmenin Remzi Hoxha.
Dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, në procesin penal ndaj tre ish-SHIK-asve, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi, të akuzuar për rrëmbimin, torturimin me pasojë zhdukjen e biznesmenit shqiptar të Maqedonisë, Prokuroria e Krimeve të Rënda paraqiti vendimin e Gjykatës së Shkupit për shpalljen si të vdekur të Remzi Hoxhës.

“Në rrugë zyrtare, ka mbërritur nga Gjykata e Shkupit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda vendimi për shpalljen të vdekur të Remzi Hoxhës. Ndaj, kërkoj nga gjykata që në rrugë zyrtare ta marrë këtë vendim për ta bërë pjesë të fashikullit të gjykimit”, tha prokurori i çështjes, Xhevat Hana në seancën e djeshme gjyqësore.

Zef Nikaj, avokati mbrojtës i të akuzuarit Sefgjini, tha se një vendim i tillë nuk ka asnjë vlerë për procesin, pasi bëhet fjalë për një çështje civile (çelje trashëgimie nga familjarët e Remzi Hoxhës), ndaj kërkoi rrëzimin e kërkesës së prokurorit. Pesëshja gjykuese e kryesuar nga Gurali Brahimllari u tërhoq në dhomën e këshillimit, për të dalë më vonë me vendimin e pranimit të kërkesës.
“Gjykata vendosi t’u drejtohet me letërporosi autoriteteve maqedonase për të marrë vendimin për shpalljen si të vdekur të Remzi Hoxhës”, u shpreh kryesuesi i seancës.

Në bazë të ligjit, kur personi zhduket pa asnjë gjurmë dhe nuk ka asnjë kontakt me familjen për një periudhë prej 6 muajsh, mund të kërkohet shpallja e tij si i zhdukur dhe me kalimin e afatit ligjor mund të kërkohet shpallja si i vdekur.

Familjarët e biznesmenit Hoxha i janë drejtuar Gjykatës së Shkupit për shpalljen si të vdekur të njeriut të tyre të dashur pas 15 vjetësh, që prej ditës kur u rrëmbye në punishten e tij në rrugën “Siri Kodra” në Tiranë. Duket se përmes këtij vendimi, prokuroria po përpiqet të mbështesë akuzat e ngritura ndaj tre ish-SHIK-asve, Sefgjini, Kumbaro dhe Koldashi, për rrëmbimin, torturimin me pasojë vdekjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha.

Biznesmeni u rrëmbye më 21 tetor 1995 në Tiranë dhe dyshohet të jetë mbajtur e torturuar në bazën e SHIK-ut në Vain të Lezhës. Për fatin e tij nuk u mësua kurrë asgjë dhe, pas një dekade e gjysmë kërkimesh të pareshtura, familja i është drejtuar Gjykatës së Shkupit, e cila e ka shpallur të vdekur Remzi Hoxhën. (zeri)
Shtuar më 01/07/2010, ora 10:30
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori