Shkupi injoron Kosoven, per shkak te lidhjeve shpirterore me Serbine
Albeu.com
Kryetarja e ADK-së, deputete aktuale në Parlamentin e Kosovës, Edita Tahiri ka theksuar për agjencinë e lajmeve INA se Maqedonia është e kujdesshme me Serbinë sa i përket Kosovës.Ajo ka thënë se, Shkupi shtyn vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Prishtinën, për shkak të lidhjeve të tij shpirtërore dhe kulturore me Serbinë.
“Sigurisht se në mendimin politik të Maqedonisë një rol të rëndësishëm kanë lidhshmëritë kulturore e shpirtërore të saj me Serbinë. Por një mendim i tillë, po që se kultivohet, atëherë mund të ketë efekte përjashtuese për popullatën jo-maqedone e cila ka orientime tjera në këto dimensione”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka vlerësuar se, sfida e madhe e udhëheqjes së Maqedonisë është që të mendojë me dimensione multietnike si në politikën e brendshme ashtu edhe në të jashtmen - si rrugë e vetme që garanton harmoni dhe prosperitet për të gjithë qytetarët dhe komunitetet që jetojnë atje.

Sipas saj, Kosova dhe Maqedonia kanë nevojë jo vetëm për raporte zyrtare ndërshtetërore por edhe për raporte të sinqerta dhe të dinjitetshme që bëjnë të kuptohet se dy vendet ushqejnë respekt për njëra tjetrën.

“Rasti i takimit të parë të dy presidentëve dhe loja me agjendën e vizitës së Presidentit Sejdiu në Maqedoni si dhe mungesa e ftesës për ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri maqedonas nuk i kontribuojnë raporteve të dëshiruara të fqinjësisë së mirë. Është esenciale që mendimet dhe qëndrimet zyrtare të ndërtohen mbi nevojën që të gjithë së bashku të punojmë për një të ardhme më të ndritur të rajonit dhe të vendeve tona”, ka theksuar Tahiri.

Ajo ka ripërsëritur arsyet se përse Maqedonia dhe Kosova duhet të vendosin marrëdhënie ndërshtetërore, duke u nisur nga synimet e përbashkëta si në aspektin e marrëdhënieve të mira fqinjësore në sferën ekonomike, të përpjekjeve për një rajon stabil si dhe në aspektin e fuqizimit të perspektivave euroatlantike të rajonit.

Duke folur për zhvillimet e brendshme në Maqedoni, ajo ka theksuar se me rëndësi të veçantë për këtë vend është përshpejtimi i përmbushjes së obligimeve ndaj marrëveshjes së Ohrit në mënyrë që shqiptarët atje të ndjehen të barabartë dhe të realizuar. (ina)
Shtuar më 05/08/2009, ora 23:25
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori