Shkupi, gati për monumentin e Skënderbeut
Pëlqej
Albeu.com
Gjithçka është gati në Shkup, në vendin ku do të ngrihet monumenti i Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Këtë e bën të ditur kryetari i komunës së Çairit në Shkup Izet Mexhiti.

Skulptori nga Tirana që ka realizuar veprën Thoma Thomai po bën ndërhyrjet e fundit mbi bazamentin ku do të vendoset monumenti ku Skënderbeu paraqitet me shpatë në brez i hipur mbi kalë. Anëtari i këshillit organizativ Haki Mustafa u shpreh se monumenti më datën 20 nëntor do të niset nga Tirana ku dhe është realizuar vepra e derdhur në bronz për në drejtim të Shkupit. Mustafa theksoi se për gjithë shqiptarët e Maqedonisë kjo do të jetë një ditë feste e madhe. Shoqata qytetare “Zgjohu” dhe dhe simpatizantët e klubit “Sloga Jugomagnat” me një flamur kombëtar shqiptar rreth 100 m i gjatë do të dalin në doganën e Qafë-Thanës për të pritur monumentin e Heroit dhe më pas do ta shoqërojnë përgjatë rrugës Strugë-Kërçovë-Gostivar-Tetovë dhe më datën 28 Nëntor Skënderbeu do të vendoset në Shkup. Për realizimin e kësaj vepre monumentale komuna e Çairit ka shpenzuar 120 mijë euro. Ideatori i gjithë këtij organizimi ka qenë kryetari i BDI-së Ali Ahmeti i cili nga Prishtina ka deklaruar se së shpejti heroi ynë kombëtar Skënderbeu do të vendoset edhe në Shkup. Kryetari i Komunës së madhe të shqiptarëve në këtë qytet të Maqedonisë, Izet Mexhiti dhe njëherzi edhe kryetari i komisionit organizativ ka pohuar se “me rastin e sjelljes së Skënderbeut në Shkup do të ketë një sërë aktivitetesh dhe manifestimesh duke filluar nga sesion shkencor kushtuar kësaj figure deri tek shfaqjet teatrale dhe aktivitetet sportive.” Ai theksoi se këtë vit do të akordohet çmimi prestigjoz “Skënderbeu” që do t’iu jepet personaliteteve që kanë dhënë kontribut në fusha të ndryshme. b.budini, Shekulli

Shtuar më 18/11/2006, ora 08:21
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori