Shkupi do të njohë pavarësinë e Kosovës
Albeu.com
Maqedonia respekton vullnetin e popullit të Kosovës, keshtu u theksua gjatë një takimi të një delegacioni te qeverisë së Maqedonisë i kryesuar nga zëvendëskryeministri Ymer Selmani me perfaqesues te qeverisë se Kosovës.Një delegacion i qeverisë së Maqedonisë i kryesuar nga Ymer Selmani, zëvendëskryeministër, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Sylejman Rushiti, ministër i Arsimit, Zoran Konjanovski, dhe ministri i Pushtetit Lokal, Stojan Karajanov, kanë konfirmuar se Maqedonia respekton vullnetin e popullit të Kosovës, gjatë një takimi në qeverinë e Kosovës, të pritur nga ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i Kosovës, Agim Veliu. Ministri Veliu tha se është biseduar për nevojën e ngritjes së nivelit të bashkëpunimit siç, tha ai për t'i dhënë një frymë të re bashkëpunimit të deritashëm. Ai tha se është biseduar edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë, për statusin e Kosovës dhe që zgjidhja duhet të arrihet këtë vit. Ymer Selmani, zëvendëskryeministër dhe ministër i Shëndetësisë të Qeverisë së Maqedonisë, tha se është biseduar për bashkëpunime konkrete në një të ardhme të afërt në shëndetësi, në pushtetin lokal dhe arsim. "Konfirmuam se Kosova dhe Maqedonia kanë strategji dhe opsione strategjike të përbashkëta", tha Selmani. Ai tha se ishin këtu për të konfirmuar se Maqedonisë respekton vullnetin e popullit të Kosovës. "Statusi final i Kosovës është i pranueshëm për Republikën e Maqedonisë, ai status i cili do të definohet sipas vullnetit të qytetarëve të Kosovës në koordinim me vendimet që do të merren në Bruksel dhe Uashington", tha Selmani. Ai tha se kjo vizitë pritet të hap një formë më kualitative të bashkëpunimit, edhe pse të dyja vendet kanë nënshkruar 14 protokole, pasi ato janë pak, nëse ato nuk sisitemohen dhe nuk aplikohen në jetën e përditshme të qytetarëve të dyja vendeve. Poashtu në këtë takim është biseduar për ekstradimin e të arrestuarëve, që sipas Selmanit do të mundësonte që në mënyrë sa më efikase të luftohen dhe të parandalohen veprimtaritë antiligjore. Numri dy i qeverisë së Maqedonisë, z.Selmani, bëri të ditur se deri në fund të këtij muaji tri ministritë nga Kosova dhe Maqedonia, Ministria e Arsimit, Ministria e Pushtetit Lokal dhe Ministria e Shëndetësisë do të formojnë grupe punuese për të biseduar dhe analizuar hapat konkrete për të gjitha masat që duhet të jenë në agjendën e bashkëpunimit ndërministror mes dy vendeve. Ai tha se Maqedonia ka në agjenden e vet që të harmonizojë çmimet e shërbimeve profesionale mjekësore që duhet t'iu jepen pacientëve nga Kosova, dhe po ashtu dëshiron të harmonizohen çmimet e participimeve të studetëve të Kosovës që mësojnë në Maqedoni dhe anasjelltas. Po ky delegacion është pritur edhe nga presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.
Shtuar më 16/10/2006, ora 22:40
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori