"Shkupi 2014" edhe me heronj shqiptare
Albeu.com
Në kuadër të projektit "Shkupi 2014" në qendrën e Shkupit do të ndërtohen edhe përmendore të figurave të rëndësishme shqiptare. Pas presionit diplomatik, të shoqërisë civile dhe atij të huaj, kryeministri Nikolla Gruevski është takuar me partnerin e tij të ...... koalicionit, liderin e BDI-së, Ali Ahmeti ku janë pajtuar që në sheshin e Shkupit të ketë edhe përmendore të figurave shqiptare. "Është zhvilluar një bisedë mes kryetarit Ahmeti dhe kryeministri Gruevski, ku gjerë e gjatë është biseduar për projektin ‘Shkupi 2014’. Janë pajtuar të dy partnerët e koalicionit që sheshi i Shkupit, i cili do të ndryshojë në përgjithësi pamjen të reflektojë karakterin multietnik të Maqedonisë. Gjithashtu është diskutuar që në detaje të analizohen të gjitha propozimet për përmendoret që do të vendosen", tha zëdhënësi i qeverisë, Shefik Duraku.

Menjëherë në skenë kanë dalë propozimet e shqiptarëve se cilat figura duhet të qëndrojnë në sheshin e kryeqendrës. Kryetari i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë (SHHSHM), Nebi Dervishi ka shprehur rëndësinë e vendosjes së përmendoreve shqiptare në qendrën e Shkupit. "Që para tre viteve, ne kemi dorëzuar në qytetin e Shkupit me qindra propozime të figurave, personaliteteve dhe ngjarjeve historike, që duhet të karakterizojnë qytetin e Shkupit dhe sidomos sheshin e saj. Mendoj se tash duhet të jetë prezent edhe pjesë nga historia e popullit shqiptar siç janë personalitete të ndryshme që nga periudha e Dardanisë, mesjetës dhe periudha e re", tha Dervishi. Ai pohoi se duhet të veçohen disa figura që kanë të bëjnë me Shkupin. "Dihet mirë se kjo ishte kryeqendra e Dardanisë, e vilajetit të Kosovës dhe e shqiptarëve ndër shekuj", tha Dervishi.

Në lidhje me këtë ide do të formohet një forum ku do të konkretizohen të gjitha personalitetet që duhet ta karakterizojnë sheshin e Shkupit.

"Propozimet e Lëvizjes ZGJOHU! janë rezultat i një debati të gjerë midis organizatave relevante joqeveritare brenda forumit të ZGJOHU! si dhe pasqyrim i pritjes së qytetarëve shqiptar që ky projekt të plotësohet me elemente shqiptare. Andaj, ZGJOHU! ka reaguar me kohë dhe në mënyrë të duhur duke respektuar procedurën dhe pret që institucionet e shtetit të veprojnë në përputhje me pritjet e shqiptarëve. Ndërsa gjeneralët oportunist të pas luftës i porosisim që të struken aty ku janë fshehur gjate gjithë kohëzgjatjes së këtij problemi", thonë nga Lëvizja ZGJOHU!.

Për projektin "Shkupi 2014" janë paraparë të ndahen rreth 200 milionë euro, ndërsa në të përveç objekteve të ndryshme janë paraparë të ndërtohen edhe figura të personaliteteve historike maqedonase.





Propozimet:

Pjeter Bogdani, Hasan Prishtina, Ismet Jashari, restaurimi i Shtëpisë autentike të familjes Bojaxhiu në vendin ku është pllaka përkujtimore, rindërtimi i Burmali Xhamisë, përmendorja e heroit kombëtar, Adem Jasharit në sheshin e Shkupit, 28 Nëntorin "Ditës së flamurit", 17 Shkurtit "Ditës së plisit", përmendoren për Dëshmorët e UÇK-së të vitit 2001, viktimës së UT-së Abdylselam Emini, Ernes Koliçi, Ismail Qemaili, Isa Boletini, Lidhja e Prizrenit, Jashar Bej Shkupi, Mbretëresha Teuta, Jusuf Gërvalla, Luigj Gurakuqi, Mit’hat Frashëri, Naim Frashërti, Abdyl Frashëri, Sami Frashëri, motrat Qiriazi, Ibrahim Rugova, Ferid Muhiqi, Ismail Kadare, Gjergj Fishta, Josip Bageri, Luan Haradinaj, Kulla Shqiptare.

Në shesh as kishë, as xhami

Siç mëson "Lajm", jozyrtarisht për të mbajtur situatën të qetë në kuadër të projektit "Shkupi 2014" dy partnerët e koalicionit BDI-VMRO DPMNE janë marrë vesh që në qendër të Shkupit mos të përfshihet as xhamia Burmali por as kisha "Shën Elena dhe Konstatini". Sipas të gjitha parashikimeve kryeqendra e Maqedonisë në vetvete nuk do të ketë asnjë objekt fetarë. (lajm)
Shtuar më 23/02/2010, ora 17:09
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori