Shkup, Vodno po mbulohet nga kryqet
Albeu.com
Edhe një simbol i krishterimit në Shkup. Një biznesmen i panjohur maqedonas para disa ditëve ka ofruar 50 mijë euro për ndërtimin e një kryqi të lartë 30 metrash në Vodno.Në Vodno të mesme do të mbijë edhe një kryq, 30 metra i lartë, për ndërtimin e të cilit një biznesmen i panjohur maqedonas ka siguruar 50 mijë euro. Për momentin nuk janë siguruar të gjitha lejet, për shkak se janë kushtëzuar punët lidhur me pronësinë e tokës në të cilën do të jetë i locuar kryqi simbolik i krishterimit. Kisha Ortodokse Maqedonase së shpejti do të kërkojë leje për ndërtim nga kompetentët në komunën Karposh të Shkupit.
Në majën e Vodnos, mal i lartë rreth një mijë metra, tanimë ka kryq impozant i njohur si Kryqi i Mileniumit, i lartë 70 metra dhe, nëse realizohet qëllimi i biznesmenit, mbi kryeqytet do të ketë dy kryqe. Kryqi i Mileniumit u ndërtua me para të shtetit, dhe ende nuk ka përfunduar, ndërsa asnjë institucion nuk dëshiron t’i paguajë shpenzimet për mirëmbajtjen e tij.
Nga Qyteti i Shkupit thonë se komuna Karposh jep leje për ndërtimin e kryqit në Vodno. Por, nga Komuna e Karposhit refuzuan të tregojnë nëse do të japin apo jo leje për ndërtimin e kryqit të ri në Vodno. “Për herë të parë po dëgjoj për ndërtimin e kryqit në Vodno. Në Sektorin për dhënien e lejeve ndërtimore që unë e udhëheq s’ka lëndë për një gjë të tillë”, tha për “Lajm”, Vera Dimitrievska, përgjegjëse në Sektorin për urbanizëm në Komunën Karposh. Ajo nuk deshi të përgjigjet nëse do të japë leje, duke u arsyetuar se, nuk e din nëse ka plan detaj dhe projekt urbanistik.
Edhe nga Ministria e Mjedisit Jetësor e cila kërkonte që mali Vodno të shpallet zonë mbrojtëse nga ndërtimet, thanë se për herë të parë po dëgjojnë, mirëpo nuk precizuan nëse do të kundërshtojnë ndërtimet në Vodno.


Kisha e do kryqin, por më të vogël se 30 metra
Jozyrtarisht nga Kisha Ortodokse Maqedonase (KOM) marrim vesh se, Arqipeshkopi Stefan nuk ka qenë i disponuar që në Vodno të ndërtohet edhe një kryq me lartësi të madhe. Ai është duke tentuar që të bind donatorin që të pajtohet që në kishën “Presveta Bogordica” të vendoset një kryq në lartësi prej 6 metrash. KOS ka vlerësuar se me ndërtimin eventual të kryqit prej 30 metrash nuk do të ishte mirë për aspektin estetikor dhe s’ka nevojë për një kryq tjetër me lartësi të lartë sepse kjo do të kuptohej si ide megalomane.
BEKIM BUÇI, Lajm
Shtuar më 11/04/2006, ora 16:51
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori