Shkup: Permendoret e reja, per ndarje te reja
Albeu.com
Ka shumë gjasa që sheshi i Shkupit të jetë kantieri më i madh i ndërtimit në Maqedoni, ku do të ndërtohet ardhmëria maqedonase përplot me frustrime. Më shumë se 10 milionë euro nga burime të ndryshme qeveritare do të investohen në ndërtimin e përmendoreve në qendër të Shkupit.Bartësit e idesë së dështuar për ndërtimin e xhamisë Burmali në sheshin e qytetit në Shkup konsiderojnë se në Shkup po ndërtohet muri i ri kulturor i Berlinit mes maqedonasve dhe shqiptarëve.
”Të mos dal se me sukses po i përfundojnë demarkacionet e kufijve të shtetit, tani ne kemi filluar edhe brenda të bëjmë demarkacionin”, thotë Ramadan Ramadani, koordinator i Këshillit për ndërtimin e xhamisë Burmali.
”Dhe kuptohet se përmendore maqedonase duhet të ketë më shumë se të tjerët”, shprehet Pasko Kuzman, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.

VMRO-DPMNE tentonte që me çdo kusht të ketë kryetarin e saj në komunën “Qendër”. Më shumë se 10 milionë euro nga burime të ndryshme qeveritare do të investohen në projekte në qendër të Shkupit.
”Kjo shifër të cilën ne e disponojmë, me të cilën ne punojmë, që e kemi, ka të bëjë konkretisht me sheshin, e ato janë dhjetë milionë euro”, thotë Damjan Zdravev – nga OJQ “Sheshi Liria”.
”Kjo është zona kryesore e një qyteti ku të drejtë të plotë kanë që të shihen të gjithë qytetarët e kësaj republike”, shton Ramadan Ramadani, koordinator i Këshillit për ndërtimin e xhamisë Burmali.

”Nuk mundemi ne sipas përkatësisë etnike të punojmë projekte, atje nuk ka përkatësi etnike”, deklaron Dragan Nedelkoviq, zëvendësministër i Kulturës.
”Në këtë shifër mendoj se bëjnë pjesë përmendorja e Aleksandërit me rreth 4.5 milionë euro, luanët, katër luajë janë rreth 2.2 milionë euro, dhe pjesa tjetër janë skulpturat më të vogla, e Nikolla Karevit rreth 500 mijë euro, Dames dhe Goces së bashku rreth 850 mijë euro”, shton Damjan Zdravev – nga OJQ “Sheshi Liria”.

A thua të gjitha këto përmendore që tani i financon Ministria e Kulturës, pas dhjetë vitesh do të jenë dëshmitarë të mëdhenj kurse për dikë të shëmtuar të së tashmes tonë të keqe? Qeveria, e cila dëshironte që ta bëjë Maqedoninë kantier më të madh investues në Ballkan, tani po i përdorë ekskavatorët vetëm për gërmimin sa më thellë në të kaluarën.
”Unë nuk mendoj se janë shumë përmendore, por pikërisht janë pak, duhet të ndërtohen më tepër që të mund, po ashtu, të shihet, se kush jemi, çka jemi, ku po shkojmë, pasi nuk mund asgjë të dini, pa ato momente dhe përmendore historike”, shprehet Pasko Kuzman, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
”Është një papërgjegjësi shumë e madhe që në njërin nga vendet më të varfra në Evropë, në qytetin ku në disa shkolla fillore, fëmijët tanë nevojën e bëjnë në nevojtore të papërshtatshme, kurse nga ana tjetër të shpenzohen 10 milionë euro për përmendore”, replikon Damjan Zdravev nga OJQ “Sheshi Liria”.

Siç duket shqiptarët me të drejtë e shtrojnë pyetjen se si ndahen fondet e Qeverisë për ndërtimin e përmendoreve në Shkup, nëse kihet parasysh fakti se krahas dhjetë milionë eurove të destinuara thënë kushtimisht për përmendore maqedonase, ndërtimi i përmendores së Skënderbeut kushtoi rreth 200.000 mijë euro.
”Përmendorja e Skënderbeut që është vendosur në Shkup, nëse bëhet një llogari përfundimtare, kushton diku rreth 12 milionë denarë”, thotë Izet Mexhiti, kryetar i komunës së Çairit.
”Ja, nëse insistoni, unë e di se për projektet shqiptar këtë vit janë mbi 25 për qind e buxhetit për programin vjetor për kulturën”, shprehet Dragan Nedelkoviq, zëvendësministër i Kulturës.
”Pra, ne nuk mund me forcë të vendosim përmendore, vetëm të bëjmë të kundërtën, vetëm të bëjmë një baraspeshë”, thotë Pasko Kuzman, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.

Ministria e Kulturës tani po orvatet që të nxirret nga gjithë përgjegjësia për ndërtimin e përmendoreve në qendër të Shkupit, që qytetarëve të Maqedonisë do t’iu kushtojë dhjetë milionë euro por edhe më tepër frustrime ndëretnike dhe të identitetit.
”Nëse komisioni përkatës në kuadër të Ministrisë vlerëson se projekti i komunës “Qendër” për ndërtimin e përmendoreve është në rregull, ata e japin ose nuk e japin pëlqimin”, thotë Dragan Nedelkoviq, zëvendësministër i Kulturës.
”Në vitin 2010 do të orvatemi që të vendosim një balancim në Ministrinë e Kulturës për të qenë të barabartë, jo vetëm me 20 ose 25 për qind, por edhe më tepër, në mënyrë që të kompensohet ajo që është humbur gjatë viteve të kaluara. Në veçanti, Ministria e Kulturës duhet të reflektojë vlera ndëretnike”, përfundon Izet Mexhiti, kryetar i komunës së Çairit. (alsat-m)
Shtuar më 10/01/2010, ora 20:15
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori