Shkup, kater te vrare nga perleshja mes policise dhe personave te armatosur (UPDATE)
Albeu.com
Katër të vdekur dhe disa të plagosur është bilanci i incidentit të armatosur që gjatë natës ka ndodhur në afërsi të fshatit Radushë të Shkupit, mëson Alsat-M. Tre nga viktimat janë identifikuar, ndërsa është duke u bërë identifikimi i viktimës së katërt.Bëhet fjalë për një person nga fshati Gërçec, një nga Prishtina dhe një nga fshati Merovë.

Incidenti ka ndodhur pasi grupi i armatosur ka qenë duke bartur armë në kufirin midis Maqedonisë dhe Kosovës dhe ka hapur zjarr ndaj policisë.

Vendi i ngjarjes është i bllokuar nga forcat policore, ndërsa mbi të fluturojnë helikopterë.

Banorët lokalë thonë se kanë dëgjuar të shtëna armësh nga mesnata deri në orën 3 të mëngjesit. Ministria e Brendshme e Maqedonisë paralajmëroi më shumë detaje gjatë ditës.

Ndërkaq, zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk kanë asnjë informacion se mund të ketë pasur incidente në pjesën kosovare të kufirit me Maqedoninë.

Kelani tha se policia nuk ka regjistruar incident me të shtëna armësh apo ndonjë incident tjetër, për të shtuar se nëse një gjë e tillë ka ndodhur në pjesën maqedonase të kufirit, atëherë Policia e Kosovës nuk mund të japë informacione, por ajo e Maqedonisë, bën të ditur “Lajm” i Shkupit.

Nderkohe nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftuan se në shkëmbimin e zjarrit ku u vranë 4 persona në rajonin e Radushës, ishte si rezultat i sulmit ndaj patrullës së MPB-së nga një grup, i cili është marrë me kontrabandimin e armëve.
“Kishim informacione për transportimin e armëve ilegale. Kemi bërë pritë dhe rreth orës 2 pas mesnate gjatë tentimit të policisë për të ndaluar një furgon, personat që ndodheshin në të hapën zjarr ndaj policisë. Pjesëtarët e MPB-së iu kundërpërgjigjën sulmit me ç’rast u vranë 4 persona të cilët ndodheshin në furgon. Në të është gjetur një sasi e madhe armësh”, deklaroi zëdhënësi i MPB-së Ivo Kotevski.

Sipas MPB-së, në furgon janë gjetur sasi të konsiderueshme të armëve: 3 raketahedhës dore me 3 thashë granata, 6 pushkë automatike dhe një pushkë gjysëmautomatike, një snajper, një mitraloz, një thes me TNT eksploziv, 6 bomba dore, mina tokësore, 12 granata për minahedhës dore 60 mm, municion për pushkë automatike, çizme ushtarake, amblema të UCK-së dhe harta.

MPB bëri të ditur se furgoni që po transportonte armë ishte “Mercedes Sprinter”, i cili po lëvizte nga Radusha në drejtim të Shkupit dhe në të ishin persona të njohur edhe më parë për policinë për kryerjen e veprave të ndryshme.
Shtuar më 12/05/2010, ora 12:48
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori