Rama shkarkon 14 "legena" dhe 1 "kryelegen"
Furtunë në Inspektoriatin Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit në Tiranë, shkarkohen nga puna 15 zyrtarë, mes tyre kryeinspektori, 8 inspektorë pyjorë dhe për 6 inspektorë mjedisorë, për akte korruptive apo abuzime me detyrën.

Rezultatet e Task Forcës Antikorrupsion i njoftoi si çdo javë Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj që është njëherësh Koordinatorja Kombëtare e Antikorrupsionit.

Më parë, Rama ishte shprehur se janë "disa drejtorë dhe punonjës legena ata që i prishnin imazhin në sytë e publikut".

Gjonaj theksoi se pas denoncimeve apo informacioneve që qytetarët kanë dhënë në platformën e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al, janë kryer kontrolle dhe inspektime edhe Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni” në Tiranë si dhe Inspektoriatin Shtetëror Shëndetësor – Dega Rajonale Tiranë, ndërsa në total janë rekomanduar 36 masa disiplinore.

“Ndërkohë Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Task Forcën Antikorrupsion ka dërguar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, një raport lidhur me shkeljet e gjetura në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për një procedurë të prokurimit publik. Nga kontrolli kanë rezultuar veprime të dyshimta të Komisionit të Vlerësimit të ofertave, çka ka bërë që raporti i kontrollit t’i dërgohet Prokurorisë për veprime të mëtejshme”,- u shpreh ministrja

Në raportin e përjavshëm ajo e vuri theksin edhe tek rezultatet e Policisë së Shtetit, e cila në bashkëpunim me organin e prokurorisë kanë evidentuar 27 vepra penale në fushën e korrupsionit dhe abuzimit me detyrën nga ana e punonjësve të administratës publike dhe janë proceduar penalisht 37 autorë.

Po ashtu, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në sistemin e burgjeve ka rekomanduar marrjen e masave administrative për 3 drejtues të Insitucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale për shkelje të ligjit dhe shpërdorim të detyre.

“Këto rezultate dhe efekti i drejtpërdrejtë që kanë ato në perceptimin e publikut për nivelin e korrupsionit në vend, na motivojnë për të vazhduar me të njëjtën këmbëngulje dhe të njëjtën ashpërsi ndaj kujtdo punonjësi të administratës apo qytetari që do të kryejë akte korruptive”,- nënvizoi ministrja
Shtuar më 01/11/2018, ora 13:57

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori