Takim në Stamboll, ja çfarë pritet të firmosin Ukraina dhe Rusia

Ukraina ka njoftuar së fundmi se një marrëveshje për të rifilluar eksportet e drithërave të bllokuara nga Rusia duket e afërt, ndërsa bisedimet katërpalëshe përgatiten të rifillojnë, duke rritur shpresat për fundin e bllokimit që ka ekspozuar miliona njerëz ndaj urisë.

Më shumë se 20 milionë ton drithë ukrainase janë bllokuar në kapanone në portin e Odesës në Detin e Zi dhe dhjetëra anije janë bllokuar për shkak të agresionit të Rusisë, pjesë e asaj që Moska e quan “operacioni i saj special ushtarak” në Ukrainë, por që Kievi dhe Perëndimi thonë se është një luftë e pajustifikuar.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, ka deklaruar për gazetën spanjolle El Pais, përpara bisedimeve në Stamboll midis zyrtarëve të Ukrainas, Rusisë, Turqisë dhe të OKB-së se Kievi beson se tani është shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje për rifillimin e eksporteve.

“Ne jemi dy hapa larg një marrëveshjeje me Rusinë. Jemi në fazën përfundimtare dhe tani gjithçka varet nga Rusia”, tha ministri Kuleba. Pjesëmarrësit e tjerë u treguan më pak entuziastë, duke thënë se ende ka shumë punë derisa palët të bien në ujdi të plotë.

Ukraina dhe Rusia janë furnizuesit kryesorë globalë të grurit. Rusia është gjithashtu një eksportues i madh i plehrave dhe Ukraina një prodhues i rëndësishëm i misrit dhe vajit të lulediellit, kështu që arritja e një marrëveshjeje për të zhbllokuar eksportet shihet si jetike për sigurinë ushqimore, veçanërisht midis vendeve në zhvillim, dhe për stabilizimin e tregjeve.

Ukraina dhe Perëndimi e kanë akuzuar Rusinë për përkeqësimin e një krize globale ushqimore duke komplikuar përpjekjet për të furnizuar vendet më të varfra me grurë dhe duke nxitur inflacionin.

Moska ka fajësuar Ukrainën për problemin, duke akuzuar Kievin për refuzimin e heqjes së minave që ajo shpërndau rreth vijës së saj bregdetare për t’u mbrojtur nga sulmi i Rusisë, të cilat sipas saj përfaqësojnë një kërcënim për transportin detar.

Rusia ka goditur gjithashtu Perëndimin për vendosjen e sanksioneve ndaj një sërë sektorësh që e bëjnë më të vështirë për Rusinë financimin dhe sigurimin e shërbimeve të saj të transportit detar./albeu.com